Berisha: Do bëjmë çdo gjë për anulimin e ligjit për barazinë gjinore
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, tha sot se opozita nuk pajtohet me ligjin “Për barazinë ligjore” dhe do të bëjë çdo gjë për anulimin e tij, përfshirë edhe rikonsiderimin e referendumit.
“PD do ndërmarrë të gjitha hapat kushtetuese, do rikonsiderojë referendumin dhe çdo gjë të mundshme dhe të nevojshme për anulimin e këtij ligji, i cili në fakt përmbys rendin juridik të shtetit shqiptar, pasi rrëzon të paktën 4 nene të Kushtetutës”, u shpreh ai në një konferencë për shtyp nga selia e PD-së, raporton RTKlive.
Sipas tij, ligji rrëzon Kodin e Familjes, Kodin Civil të cilët përbëjnë bazën juridike të shtetit.
“Kjo përpjekje do bëhet në bashkëpunim të ngushtë me çdo shqiptar që e ka familjen sa hyjnore, aq edhe tokësore; me çdo besimtar që i konsideron librat e shenjtë të besimit të tij fetar si kodin moral të familjes së tij; me çdo prind që në përputhje me Kushtetutën e vendit, do që fëmija e tij të marrë edukimin fetar të familjes së tij, në përputhje me gjininë, me të cilën ka lindur”, tha Berisha.
Kreu i PD-së theksoi se “të gjitha këto kërkojnë një përgjigje të fuqishme nga qytetarët dhe ne nisim këtë betejë me bindjen më të thellë se pavarësisht nga mbështetja e këtij narkoshteti, ky narkoshtet nuk ka legjitimitet”.
“Ne e bëjmë këtë betejë jo vetëm për fëmijët tanë dhe veten tonë, por e bëjmë edhe për miqtë tanë dhe partnerët tanë”, u shpreh Berisha./RTKlive/PortaliAlarm/
Albanian 

























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































