# Tags
#Bota #Lajme #OP-ED

Fischer mbi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë: Duhet t’i përkrahësh ata që luftojnë për liri dhe pavarësi

Në një intervistë të gjatë dhe personale për gazetën “Süddeutsche Zeitung”, ish-ministri i jashtëm gjerman, Joschka Fischer, mbrojti angazhimin e tij në fund të viteve 1990 për çlirimin e Kosovës nga regjimi i kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq.

Kur u pyet se si arriti ta bindë Partinë e Gjelbër për të hequr dorë nga pacifizmi dhe përse ka një qasje intervenuese, Fischer u shpreh se “kjo është një bindje themelore: solidaritet me viktimat e agresionit. Unë nuk jam njeri që beson te parimi ‘nëse dikush të jep një shuplakë në faqen e majtë, t’ia kthesh të djathtën’”.

Ai shtoi se duhet të mbështeten ata që luftojnë për lirinë dhe pavarësinë e tyre.

Fischer përmendi shembullin e Luftës së Dytë Botërore, “Si u mund Hitleri? Jo me njerëz që heshtin dhe rrinë këmbëkryq. Ai u rrëzua me luftë”.

Gjatë intervistës, Fischer foli edhe për rolin e tij brenda Partisë së Gjelbër. “Besoj se nuk ka politikan gjerman që ka humbur kaq shumë votime brenda partisë së vet sa unë. Vetëm votimin e fundit vendimtar për ndërhyrjen në Kosovë e fitova”, tha ai.

Ai mohon që gjermanëve u mungon ndjenja e vetëmbrojtjes për shkak të Luftës së Dytë Botërore, duke thënë se gjatë periudhës së mbrojtjes amerikane gjermanët u bënë pacifistë strukturorë, gjë që kishte arsye të mira.

“Tani, që janë më të pavarur, Evropa duhet të marrë përgjegjësi për mbrojtjen e saj – jo vetëm përmes Bashkimit Evropian. Ai nuk e sheh BE-në si kornizën e duhur për një Evropë të aftë për mbrojtje dhe frikësim, dhe thekson se duhet të përfshihen edhe vende si Britania e Madhe dhe Norvegjia. NATO ekziston ende, por nuk duhet të mbështetemi vetëm tek ajo, sepse nuk dihet për sa kohë do të qëndrojë e besueshme”, deklaroi Fischer./KOHA/Portali Alarm/