Gjashtë raste të dhunës në familje – Policia konfiskon edhe armë
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës të datës 06.11.2025, janë evidentuar disa raste të dhunës në familje në tri komuna të vendit – Malishevë, Gjakovë, Prishtinë, Graçanicë dhe Skenderaj. Në të gjitha rastet, Prokuroria ka nisur procedurat ligjore për hetim.
Në Malishevë, më 04.11.2025, sipas Policisë, gjatë një vizite mjekësore, tek një grua janë vërejtur disa hematoma të lehta. Sipas raportit policor, viktima ka refuzuar të japë deklaratë për ndonjë problem dhe ka thënë se “nuk ka telashe me askënd”. Megjithatë, me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar dhe do të procedohet në procedurë të rregullt, raporton Kallxo.com.
Ndërkohë, në Gjakovë, më 05.11.2025, rreth orës 22:30, është raportuar një rast tjetër dhune në familje. Sipas policisë, bashkëshorti i viktimës, nën ndikim të alkoolit, i ka shkaktuar dhunë psikike gruas së tij. “I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”- thuhet në raport.
Rasti i tretë është regjistruar në Skenderaj, më 04.11. 2025, në orën 22:00, ku Policia ka arrestuar një burrë, pasi pas një mosmarrëveshjeje verbale e kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Sipas Policisë, gjatë kontrollit te i dyshuari është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me pesë fishekë.
Gruaja kishte deklaruar se “ishte kanosur nga i dyshuari para disa viteve”. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Kurse në Graçanicë 05.11.2025, një burrë ka raportuar se kishte pasur një mosmarrëveshje verbale me babanë e tij. Pas intervistimit të palëve, me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt.
Ndërsa dy raste janë raportuar në Prishtinë.
Sipas PK më 29.10.2025, është raportuar se një grua së bashku me vajzën e saj të mitur ka pësuar dhunë nga bashkëshorti i saj. “Viktimave u është ofruar tretman mjekësor, i dyshuari është kërkuar. por ende nuk është siguruar prezenca e tij.”
Në tjetrin rast në kryqytet më 03.11.2025, është arrestuar i dyshuari, pasi që i kishte dërguar mesazhe kërcënuese ish bashkëshortes së tij. “Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”/Kallxo.com/PortaliAlarm/
Albanian 

























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































