Hamza merr drejtimin e PDK-së, heq vijën e kuqe për LVV-në
artia Demokratike e Kosovës e ka zgjedhur për kryetar të saj Bedri Hamzën. Zgjedhja e Hamzës është bërë të hënën me shumicë votash në Konventën Zgjedhore të PDK-së, në të cilën nuk pati kundërkandidat.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të PDK-së u organizuan si rezultat i dorëheqjes së kryetarit të deritanishëm të partisë, Memli Krasniqi.
Gjatë fjalimit para delegatëve, Krasniqi ka thënë se nën udhëheqjen e tij për 4 vjet e 4 muaj PDK-ja është forcuar, por Kosova sipas tij, është dobësuar.
Ai është shprehur se PDK-ja ka nevojë për një moment të ri unifikimi dhe se sipas tij duhet që kryetari i saj të jetë edhe kandidati për kryeministër. Krasniqi ka kritikuar qeverisjen qendrore të Kosovës, për çka sipas tij, është një arsye më e fortë që PDK-ja të kthehet edhe më fortë dhe më e unifikuar, raporton Koha.net.
“Ejani. Bashkohuni. Rikthehuni në shtëpinë tuaj politike. Asnjë prej nesh nuk jemi mbi familjen tonë politike. Le t’i forcojmë radhët dhe le t’i japim Kosovës atë që e meriton. Një alternativë të fortë, moderne, profesionale. Një qeverisje të kompetencës, jo të kaosit. Një lidership të unitetit, jo të përçarjes. Sepse, Kosova nuk ecën përpara pa një PDK të bashkuar”, ka thënë Krasniqi.
Me kërkesë të njëjtë për unitet u është drejtuar anëtarëve të partisë edhe kandidati i vetëm për kryetar, Bedri Hamza. Hamza ka deklaruar se në krye të PDK-së ambicie kryesore do ta ketë forcimin e PDK-së dhe të shtetit të Kosovës.
“Ambicia jonë do të jetë gjithmonë e përbashkët dhe kjo ambicie është për të forcuar partinë, ekipin dhe vendin tonë. Prandaj sot kemi nevojë për njëri-tjetrin, për t’u mbështetur për t’u respektuar dhe për të mos humbur askënd nga rruga jonë”, ka thënë Hamza.
Por para se kandidatura e Hamzës të dilte në votim, fjalën e ka kërkuar nënkryetari Enver Hoxhaj. Hoxhaj ka shprehur hidhërimin e tij pse partia nuk ia ka aprovuar kërkesën që konventa të mbahej një javë pas e të jepej më shumë kohë për kandidatura të tjera. Sipas tij, kjo ngjarje nuk është as historike, as demokratike. Ai ka thënë se garën e ka prishur kryetari i deritanishëm, Krasniqi kur që në momentin e dorëheqjes ka dhënë preferencën e tij për kryetarin e ardhshëm. Kësisoj, sipas Hoxhajt, nuk ka pasur më kushte të barabarta për të kandiduar.
“Me mënyrën se si janë shpallur zgjedhjet për pesë ditë, në mënyrën se si në konferencën e parë për shtyp e ka dhënë preferencën e tij, në mënyrën se si në televizion ka folur haptazi se mbështet një kandidat, në mënyrën se si ju ka ftuar disa prej jush si kryetarë degësh duke thënë që këtë duhet ta mbështetni ose kjo është preferenca ime, mendoj që e ka bërë garën të mbyllur dhe mendoj që nuk është garë e hapur, nuk është garë demokratike”, është shprehur Hoxhaj.
Me gjithë kundërshtinë për mbajtjen e një procesi zgjedhor në afat të shkurtër, Hoxhaj ka thënë se do ta respektojë vendimin e marrë nga delegatët.
Hamza është zgjedhur me shumicë gati absolute të votave të 457 delegatëve prezentë. Në fjalimin pas zgjedhjes së tij, ai i ka falënderuar delegatët dhe bashkëpartiakët për besimin, mbështetjen dhe drejtimin e ri që ia dhanë PDK-së.
Ai ka thënë se Kosova tani ka nevojë për PDK-në e bashkuar dhe me vizion të qartë. Ai është zotuar për rikthim të fuqishëm të partisë e për fitore të reja.
“Si kryetar i ri, premtoj se do ta hapim partinë tonë për secilin qytetar që dëshiron të kontribuojë. Do t’i forcojmë strukturat tona lokale dhe qendrore. Do të përfshijmë më shumë të rinj në vendimmarrje dhe aktivitete. Do ta ndërtojmë frymën e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë që Kosovës i duhet. Ne do të ecim vetëm përpara, me përgjegjësi, me maturi dhe me zotimet që do t’i mbajmë deri në fund. Rruga përpara kërkon guxim e vendosmëri. Dhe ne e kemi!”, ka thënë Hamza.
Po ashtu, ka thënë se nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik, teksa është pyetur nëse mund të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Unë asnjëherë nuk kam vendosur vija të kuqe dhe siç e pamë edhe në këto zgjedhje në balotazh, edhe ata që kanë vënë vija të kuqe, të gjithëve u kanë rënë. Krejt me krejt u bënë bashkë. Mendoj që ne duhet të jemi të përgjegjshëm para interesit të vendit dhe gjithmonë t’i bëjmë veprimet e duhura në dobi të vendit”, ka thënë ai.
Deri në mbajtjen e seancës së Kuvendit për votimin e Qeverisë së re ka kohë më së largu edhe deri të mërkurën.
Asnjëra nga partitë deri tash nuk është deklaruar se do ta votojë Qeverinë Konjufca, derisa të gjitha kanë bërë thirrje që në dhjetor të mbahen zgjedhjet e parakohshme.
Njësoj sikurse tash, edhe gara e kaluar për kryetarin e PDK-se, që është mbajtur në qershor, pati vetëm një kandidat, Memli Krasniqin, që e mori mandatin e dytë.
Krasniqi për herë të parë është zgjedhur kryetar i PDK-së në korrik të 2021-tës edhe atëherë pa u sfiduar nga ndonjë kandidat. Ai e ka pasuar Enver Hoxhajn, i cili ishte ushtrues i detyrës së kryetarit të këtij subjekti politik për tetë muaj, pasi kishte dhënë dorëheqje kryetari i atëhershëm, Kadri Veseli, kur Dhomat e Specializuara ia konfirmuan aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Partia Demokratike prej themelimit të saj është udhëhequr nga Hashim Thaçi deri më 2016 dhe më pas nga Veseli deri më 2020.
Në zgjedhjet e fundit, PDK-ja me kandidat për kryeministër Bedri Hamzën, doli parti e dytë, duke fituar 25 ulëse në Kuvend./Koha.net/PortaliAlarm/
Albanian 


























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































