Holanda do ta kthejë skulpturën e lashtë të vjedhur në Egjipt
Holanda ka njoftuar se do të kthejë në Egjipt një skulpturë të vjedhur, e cila është rreth 3.500 vjet e vjetër, shkruan BBC.
Sipas Inspektoratit Holandez për Informacion dhe Trashëgimi Kulturore, “është shumë e mundshme” që koka prej guri, që daton nga koha e faraonëve, të jetë grabitur gjatë Pranverës Arabe, në vitet 2011 ose 2012.
Një dekadë më vonë, ajo u shfaq në një panair arti dhe antikash në Maastricht. Pas një sinjalizimi anonim, autoritetet holandeze përcaktuan se skulptura ishte vjedhur dhe eksportuar në mënyrë të paligjshme, transmeton Portali Alarm.
Kryeministri në detyrë i Holandës, Dick Schoof, dha zotimin për ta kthyer gjatë pjesëmarrjes së tij në hapjen e Muzeut të Madh Arkeologjik të Egjiptit në Giza, këtë fundjavë.
Qeveria holandeze tha se skulptura, që paraqet një zyrtar të lartë nga dinastia e faraonit Thutmose III, është “thellësisht domethënëse për identitetin e Egjiptit”, shkruan BBC.
Statuja ishte ofruar për shitje në Panairin e Fondacionit Evropian të Artit të Bukur në vitin 2022. Tregtari e dorëzoi vullnetarisht skulpturën pasi autoritetet u informuan për origjinën e saj të paligjshme.
Qeveria bëri të ditur se pritet që koka prej guri t’i dorëzohet ambasadorit egjiptian në Holandë në fund të këtij viti.
“Holanda është e përkushtuar, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, për të siguruar kthimin e trashëgimisë kulturore te pronarët e saj të ligjshëm,” thuhej në deklaratë.
Lajmi vjen në kohën kur Egjipti festoi hapjen e Muzeut të Madh Egjiptian, që shfaq trashëgiminë e tij arkeologjike këtë fundjavë.
I propozuar për herë të parë në vitin 1992, ndërtimi i muzeut u ndërpre nga Pranvera Arabe, transmeton Portali Alarm.
Me një kosto prej rreth 1.2 miliardë dollarësh (910 milionë £), objekti përmban 100.000 artefakte, përfshirë të gjitha sendet e gjetura në varrin e paprekur të mbretit të ri Tutankhamun dhe maskën e tij të famshme prej ari.
Egjiptologë të njohur shpresojnë se muzeu do të forcojë kërkesat për kthimin e objekteve të rëndësishme historike që ndodhen në vende të tjera. Këto përfshijnë edhe Gurin e Rozetës, çelësin për deshifrimin e hieroglifeve, i cili ndodhet në Muzeun Britanik në Londër./Portali Alarm/
Albanian 

























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































