Koncert premierë i Filharmonisë dhe Operës së Kosovës nën drejtimin e maestros italian Jacopo Sipari

Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, së bashku me Korin e Operës së Kosovës, do të mbajnë një koncert ekskluziv më 19 nëntor 2025 në Sallën e Kuqe, nën drejtimin e dirigjentit të njohur italian Jacopo Sipari di Pescasseroli, në bashkëpunim me Fondacionin Domenico Bartolucci, kështu kanë njoftuar Filharmonia dhe Opera e Kosovës në rrjetet e tyre sociale.
Ky koncert do t’i paraprijë shfaqjes së ardhshme të Filharmonisë së Kosovës, në Romë më 23 nëntor, në kuadër të vitit jubilar në Vatikan.
Postimi i plotë:
Koncert premierë – Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, si dhe Kori i Operës së Kosovës, nën drejtimin e mjeshtrit italian Jacopo Sipari di Pescasseroli, do të sjellin një koncert ekskluziv më 19 nëntor 2025, nga ora 19:30, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Koncerti organizohet në bashkëpunim me Fondacionin Domenico Bartolucci, me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ambasadës së Kosovës në Romë. Ky koncert i paraprin prezantimit të Filharmonisë së Kosovës në Romë më 23 nëntor 2025 – si pjesë e ngjarjeve në shënim të Jubileut në Vatikan. Në këtë koncert do të interpretohet oratoriumi për solistë, kor dhe orkestër “La Tempesta sul Lago” nga Domenico Bartolucci. Kasti i solistëve përfshin emra të njohur si Besa Llugiqi (soprano, Kosovë), Ivana Hoxha (mexosoprano, Shqipëri), Carlos Cardoso (tenor, Portugali) dhe Biagio Pizzuti (bas, Itali), ndërsa koret janë përgatitur nga dirigjenti Hajrullah Syla. Pas Prishtinës, ky koncert do të mbahet në Romë, në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli, duke shënuar rikthimin e Filharmonisë së Kosovës me të dy njësitë e saj në Vatikan pas gati 10 vjetësh. Për të marrë pjesë në koncertin e Prishtinës, ju lutemi rezervoni ulësen tuaj në këtë link.
https://bit.ly/441sTCK
/PortaliAlarm/





Albanian 


























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































