Papa Leoni takohet me Presidentin Palestinez, thekson nevojën urgjente për veprime në Gaza
Papa Leoni XIV u takua me Presidentin e Shtetit të Palestinës, Mahmoud Abbas, për të diskutuar mbi “nevojën urgjente” për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza dhe për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare.
Takimi i të enjtës në mëngjes në Vatikan ishte hera e parë që të dy udhëheqësit takoheshin personalisht, pasi më parë kishin biseduar vetëm përmes telefonit.
Një deklaratë e Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë e përshkroi takimin si “korrekt dhe miqësor” dhe theksoi se ndër temat kryesore ishte edhe rëndësia e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit, përmes një zgjidhjeje me dy shtete, raporton Vatican News.
Ditën përpara takimit me Papa Leonin XIV, Presidenti Abbas vizitoi Bazilikën e Santa Maria Maggiore për të bërë homazhe pranë varrit të Papa Franceskut, si shenjë respekti për kontributin e tij ndaj Palestinës dhe popullit palestinez. Ai u shoqërua gjatë vizitës nga françeskani egjiptian Ibrahim Faltas, ish-Vikari i Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë. Vizita zgjati rreth pesëmbëdhjetë minuta, gjatë së cilës Presidenti vendosi një buqetë lulesh mbi varrin e thjeshtë nga mermeri, ku shkruhet “Franciscus”.
“Erdha për të takuar Papa Franceskun sepse nuk mund të harroj atë që ai ka bërë për Palestinën dhe për popullin palestinez, dhe nuk mund të harroj se ai e njohu Palestinën pa pasur nevojë që askush t’ia kërkonte këtë.”, u shpreh Abbas para gazetarëve.

Kjo vizitë e Presidentit Abbas në Vatikan shënoi gjithashtu 10-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Përgjithshme midis Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Palestinës, dokument i cili nënvizon angazhimin e të dy palëve për vetëvendosjen palestineze, për zgjidhjen me dy shtete dhe rëndësinë simbolike dhe shpirtërore të Jerusalemit për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët./VaticanNews/PortaliAlarm/
Albanian 


























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































