PDK kundër datës së caktuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme
Përmes një komunikate për media, kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë të ditur qëndrimin e kësaj partie kundrejt datës së përcaktuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Në takimin konsultativ me Presidenten Osmani dhe partitë tjera politike rreth zgjedhjeve të jashtëzakonshme, PDK ka propozuar datën 21 dhjetor si datë më e përshtatshme për zgjedhje, “edhe pse në konsultimet tona, ne i dhamë argumentet pse data 21 dhjetor do të ishte më e drejtë, vendimi tashmë është marrë”, thuhet në njoftim.
Hamza, ani pse i pakënaqur me vendimin e Presidentës, tani thotë “është koha të shikojmë përpara” duke njoftuar se si parti janë të gatshëm për këtë proces zgjedhor.
Sipas tij, PDK qëndron “e bashkuar, e mobilizuar, e gatshme, me ekip, me program dhe vizion”.
Njoftimi i plotë:
Qytetarë të dashur, Sot, presidentja e vendit ka vendosur që zgjedhjet të mbahen më 28 dhjetor.
Edhe pse në konsultimet tona, ne i dhamë argumentet pse data 21 dhjetor do të ishte më e drejtë, vendimi tashmë është marrë. Data është caktuar dhe tani është koha të shikojmë përpara.
PDK është e bashkuar. PDK është e mobilizuar. PDK është e gatshme, me ekip, me program dhe me vizion.
Ne hyjmë në këtë proces me qartësi dhe vendosmëri të plotë. Kosova ka nevojë për normalitet, për stabilitet, për një qeveri që punon dhe jep rezultate. Jo më për kriza të pafundme, jo më për improvizime dhe jo më për përçarje.
Fitorja e PDK-së do të jetë fitorja e Kosovës së zhvilluar. Ne jemi gati ta rikthejmë stabilitetin dhe funksionimin normal të shtetit. Më 28 dhjetor, ju ftoj të gjithëve të jemi bashkë. Unik. Të mobilizuar. Dhe të vendosur për një Kosovë që punon, që zhvillohet dhe që ecë përpara.
Me PDK-në. Për fitore. Për Kosovën. Na priftë e mbara!
/PortaliAlarm/
Albanian 


























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































