# Tags
#Kosovë #Lajme

Shtatë raste të dhunës në familje u raportuan gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Obiliq, Fushë-Kosovë, Lipjan, Prishtinë, Ferizaj dhe Gjakovë. Dy të dyshuar u dërguan në mbajtje.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë, në Obiliq raportohet se një çift janë përfshirë në një mosmarrëveshje, ku burri ka pësuar lëndime trupore, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Obiliq 10.11.2025 – 04:30. Ka ndodhur rasti ‘dhunë në familje’, ku të përfshirë kanë qenë bashkëshortët,  lëndime ka pësuar bashkëshorti dhe të njëjtit i është ofruar tretman mjekësor. Palët janë intervistuar dhe në konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Në Fushë-Kosovë është arrestuar një person nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht tre anëtarë të familjes.

“Fushë Kosovë 10.11.2025 – 10:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht tre anëtarë të familjes. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, njofton Policia.

Ndërsa, në Lipjan raportohet se një grua pësoi dhunë nga burri me të cilin bashkëjeton. I dyshuari u lirua në procedurë të rregullt.

“Lipjan 10.11.2025 – 11:00. Është raportuar se viktima femër kosovare ka pësuar dhunë nga i dyshuari mashkull kosovar, me të cilin bashkëjeton. Viktima është strehuar në strehimore, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, njofton Policia.

Kurse, në rastin e parë në Prishtinë një e mitur ka raportuar se babai i saj ka ushtruar dhunë ndaj saj.

“Prishtinë  09.11.2025 – 15:00 – 18:00. Me 10.11.2025 viktima e mitur femër kosovare, ka raportuar se një ditë më parë babai i saj, i dyshuari mashkull kosovar kishte ushtruar dhunë fizike. Si pasojë e dhunës viktima ka pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari i cili më pas me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

E në rastin e dytë në Prishtinë, dy vëllezër u shoqëruan në Polici nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje janë rrahur mes vete.

“Prishtinë  10.11.2025-13:00. Janë shoqëruar dy meshkuj (vëllezër) njëri si i dyshuar dhe tjetri viktimë, në stacion policor për intervistim, pasi të njëjtit për shkak të një mosmarrëveshje janë rrahur në mes vete. Rasti duke u hetuar”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, në Ferizaj u arrestua një person nën dyshimin se në gjendje të dehur ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

“Ferizaj 10.11.2025 – 15:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se në gjendje të dehur në shtëpi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, viktimës femër kosovare. Si pasojë e dhunës viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.

Edhe në Gjakovë një person u arrestua nën dyshimin se i dehur ushtroi dhunë ndajbashkëshortes së tij.

“Gjakovë  10.11.2025 – 14:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti në gjendje të dehur ka sulmuar fizikisht viktimën-bashkëshorten e tij. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor, ndërsa me vullnetin e saj është kthyer tek familja e vet. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë. /BetimipërDrejtësi/PortaliAlarm/