Skandali me rezervat shtetërore, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj ministres Rozeta Hajdari
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ministres së Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.
Aktakuza ka të bëj me skandalin e rezervave shtetërore për të cilin gazeta Nacionale kishte raportuar në mënyrë ekskluzive.
Ministrja në detyrë e ka konfirmuar vete ngritjen e kësaj aktakuze.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka treguar se për këtë çështje sot është njoftuar nga avokati i saj.
Hajdari ka paralajmëruar që sapo ta ketë pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohet për media.
“Sapo u njoftova nga avokati im, për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne. Sapo ta kem pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media”, ka shkruar ai.
Ajo ka vlerësuar se ndihet krenare për punën që ka bërë si ministre në sigurimin e rezerva shtetërore.
“Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022”, ka shkruar ajo.
Prokuroria jep detaje: Buxhetit i shtetit u dëmtua për 2,912,134.78 euro
Edhe prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar dorëzimin e aktakuzës në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj ministres së Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, dhe dy zyrtarët të kësaj ministrie: Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.
Në njoftimin e prokurorisë është thënë se Hajdari dyshohet për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.
“Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj R.H., I.L. dhe H.G nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa ndaj R.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Të pandehurit R.H., I.L. dhe H.G., akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, Në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës”, është thënë në njoftimin e prokurorisë, duke treguar demin që i është bërë shtetit.
“Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro. Të pandehurit R.H., I.L dhe H.G. akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M. Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”, është thënë në njoftimin e prokurorisë.
Vite më parë, Nacionale kishte publikuar audio-incizime të cilat dëshmonin për një skandal të madh në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Në kohën e pandemisë, MINT kishte porositur me kontrata njëburimore disa mallra për rezervën shtetërore, megjithatë një sasi e madhe e tyre nuk kishte arritur. Fjala ishte për miell, sheqer e vaj./Nacionale/PortaliAlarm/
Albanian 

























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































