# Tags
#Ekonomi #Kosovë #Lajme

168 milionë euro importe nga Serbia në vetëm 10 muaj

“Marrëdhënia e re, e gjithsesi shumë e vjetër, që po na imponohet – ‘Tregtia e Lirë’ midis nesh dhe Serbisë, vendit që nuk na njeh as të drejtën për të ekzistuar – është e dëmshme dhe e gabuar.” Kështu deklaronin nga Vetëvendosje në vitin 2011. Mbi një dekadë më vonë, e njëjta parti që dikur ngrinte barrikada në rrugë, tash e trumpeton si “sukses” uljen relative në përqindje të importit të energjisë nga Serbia, duke e krahasuar atë me qeveritë paraardhëse. Megjithatë, pasqyra e plotë e shifrave të importit, ajo që nuk mund të manipulohet me përqindje të izoluara, vulos pamohueshëm dështimin e një prej kauzave kryesore të kësaj partie. Të dhënat zyrtare për periudhën janar–tetor 2025 raportojnë një vlerë prej 192.8 milionë eurosh import nga Serbia, rikthim masiv krahasuar me vitet e fundit.

Për të kuptuar përmasën e këtij “pushtimi” të ri tregtar, mjafton të krahasohet e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Doganës, brenda periudhës Janar–Tetor 2024, totali i vlerës së mallrave nga Serbia ishte 91 milionë e 706 mijë Ndërsa në vitin 2025, vlera e mallrave gjatë së njëjtës periudhë u rrit për 110.29 për qind, duke arritur në 192.8 milionë. Pra, vlera është më shumë se dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, raporton Nacionale.

Në fillim të 2024, importet mujore nga Serbia ishin relativisht të ulëta dhe të qëndrueshme, me një mesatare rreth 8 milionë euro në muaj. Në vitin 2025, vërehet një rritje drastike, ku vetëm në muajin gusht importet arritën në 22.7 milionë euro, shifra më e lartë mujore e regjistruar për këtë periudhë.

Pjesa më e madhe e rritjes vjen nga produktet ushqimore (pije freskuese, biskota, vaj ushqimor) dhe ato bujqësore (grurë, misër). Për shembull, importi i pijeve freskuese dhe ëmbëlsirave ka shënuar rritje të ndjeshme.

Rikthimi i madh i produkteve serbe – nga “Plazmat” te materialet ndërtimore – nuk ndodhi rastësisht. Ajo ka një datë të saktë rikthimi: 7 Tetor 2024. Kjo datë shënon momentin kur ish-Kryeministri Albin Kurti largoi ndalesën e mallrave serbe në pikën kufitare të Merdares. Që nga ai vendim iu hap rruga vërshimit masiv të mallrave nga ky shtet.

Për më tepër, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbi tregtinë e jashtme (2021-2024) e përgënjeshtrojnë plotësisht narrativën e suksesit ekonomik të shpallur nga Kurti, sipas të cilit Kosova po kalonte në një epokë të re eksportesh nën udhëheqjen e tij.

Deficiti tregtar kumulativ i Kosovës në katër vitet e fundit arrin 19 miliardë euro. Jo thjesht një statistikë, por një përgënjeshtrim brutal i suksesit të shumëtrumbetuar nga kreu i qeverisë.

Bilanci tregtar, që tregon diferencën mes vlerës së produkteve të eksportuara dhe atyre të importuara, pasqyron një trend të frikshëm: me eksportet që ndonëse paten një rritje impresive në vitin 2022, mbeten të zbehta në vitet pasuese. Importet në anën tjetër, u rriten eksponencialisht./Nacionale/PortaliAlarm/