4 mijë e 500 euro gjobë ndaj të akuzuarit për lëndim të rëndë trupor
Prishtinë– Gjykata Themelore në Prishtinë të mërkurën ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për lëndim të rëndë trupor A.Z., pas arritjes së marrëveshjen për pranimin e fajsisë e lidhur në mes tij dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Ndaj të akuzuarit Z., u shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 180 ditësh, ndërsa me pëlqimin e të pandehurit u zëvendësua me 4 mijë e 500 euro gjobë.
Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë gjyqtari Bujar Ahmeti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Z., obligohet që për paushallin gjyqësor të paguaë shumën prej 20 euro, për ekspertizën mjekësore 20 euro dhe për Fondin e Kompensimit të Viktimave të Krimit shumën prej 20 euro. Të gjitha këto në afat prej 15 ditësh.
I dëmtuari A.D u udhëzua në kontest të rregullt juridiko-civil, ndërsa palët e pakënaqura me këtë vendim kanë të drejtë ankese sipas afatit ligjor.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 18 shtator 2025 me marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, i akuzuari A.Z., ngarkohej se më 23 maj 2025, deri sa ishte në Prishtinë së bashku me tani të dëmtuarit në orarin e punës për leximin e njehësorëve në rrugë e sipër, kishte lejuar që tani i dëmtuari A.D., të ulej mbi veturë në pjesën e përparme dhe kishte filluar të ngiste veturën për më shumë se 500-600 metra me një shpejtësi të pakonstatuar deri më tani.
Aty thuhet se edhe përkundër faktit se i dëmtuari ishte ulur mbi pjesën e përparme të veturës, i dyshuari kishte frenuar me vrull e si pasojë e këtij veprimi, i dëmtuari bie me kokë në asfalt, me ç’rast nga kjo rënie i dëmtuari A.D. ka marrë lëndime të rënda trupore.
Për këtë, A.Z., akuzohej se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 186, par.3, nënpar.3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi/PortaliAlarm/
Albanian 

























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































