# Tags
#Lajme 1

Psikopat… apo sociopat? Si ta kuptoni nëse dikush në jetën TUAJ është i tillë

Kur dëgjojmë fjalën psikopat, shumicës prej nesh i vijnë në mendje personazhe fiksionalë si Patrick Bateman, apo vrasës serialë si Ted Bundy dhe Jack the Ripper.

Kur flasim për sociopat, ndoshta mendojmë për figura si Sherlock Holmes apo personazhe të tjera që veprojnë jashtë normave, shkruan Express.

Por psikologët thonë se gjërat janë shumë më komplekse se kaq, sepse këto dy çrregullime të personalitetit antisocial kanë shumë ngjashmëri.

Termi sociopat, edhe pse përdoret shpesh për të përshkruar dikë egoist, manipulues ose pa empati, nuk njihet si diagnozë e pavarur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Sjelljet sociopatike – ashtu si ato psikopatike – futen në kategorinë më të gjerë të çrregullimit të personalitetit disocial.

Edhe pse ndajnë shumë tipare, Justin Brown, ekspert i modeleve psikologjike, shpjegon dallimin kryesor:

Psikopatët nuk ndjejnë shumë empati apo faj. Ata shpesh duken simpatikë dhe të përshtatur në shoqëri, por në thelb nuk krijojnë lidhje emocionale të thella.

Sociopatët, në anën tjetër, e kuptojnë çfarë është e drejtë apo e gabuar, por kanë vështirësi të kontrollojnë impulsivitetin dhe shpesh kanë histori mosbindjeje ndaj ligjeve dhe autoritetit.

Sociopatët mund të shfaqin sjellje më të dukshme e të paparashikueshme. Me rreth 1% të popullsisë që bie diku në këtë spektër, është e rëndësishme të dimë shenjat paralajmëruese – sidomos kur disa liderë apo drejtues biznesi shpesh manifestojnë këto modele sjelljeje.

Megjithatë, fakti që dikush shfaq disa nga këto sjellje nuk do të thotë domosdoshmërisht se është sociopat. Njohja e tyre thjesht na ndihmon të vendosim kufij të shëndetshëm.

Ekspertët theksojnë se njerëzit me këto prirje mund të ndryshojnë, nëse janë të gatshëm të njohin sjelljet e tyre dhe të punojnë me veten.

Më poshtë janë prirjet tipike që shpesh shfaqen tek sociopatët:

1. Vëzhgojnë çdo lëvizje tuajën dhe rrallëherë kërkojnë falje – sidomos me sinqeritet

Prej shekujsh, kultura popullore i përshkruan sociopatët si njerëz që s’kanë problem të shkaktojnë dhimbje, të manipulojnë dhe të mashtrojnë për dobitë e tyre.

Por vetëm kohët e fundit shkenca ka filluar të kuptojë qartë dallimet biologjike.Sipas Dr. Caitlyn McClure, skanimet e trurit tregojnë se sociopatët kanë më pak aktivitet në zonat që prodhojnë frikë dhe empati. Për pasojë, sjellja e tyre është më shumë e fokusuar te shpërblimi, e planifikuar dhe plotësisht pa ndjenjën e fajit.

Kjo sjellje shpesh çon në obsesion, agresion apo dhunë kur gjërat nuk u shkojnë sipas planit.

Dëshira për kontroll i lë të tjerët rreth tyre të ndihen të izoluar, të pavlerësuar apo edhe të gashtituar.

Po ashtu, ata e kanë shumë të vështirë të kërkojnë falje dhe ta thonë me të vërtetë.

Justin Brown paralajmëron:

Nëse shihni dikë që gjithmonë shpërfill ndjenjat e të tjerëve, i përdor njerëzit për të arritur atë që do apo nuk ndjen keqardhje për veprimet e veta – bëhuni të kujdesshëm. Vendosni kufij të qartë dhe mos lejoni t’ju tërheqin në lojërat e tyre.

2. Nuk kanë marrëdhënie të qëndrueshme dhe afatgjata

Edhe pse sociopatët mund të jenë shumë karizmatikë dhe të dinë si të mahnitin turmat, marrëdhëniet personale të thella u mungojnë.

Ata kanë vështirësi të kuptojnë apo përjetojnë emocione komplekse si faji, dashuria apo empatia.

Edhe kur duken të rrethuar me miq, shpesh bëhet fjalë për lidhje sipërfaqësore.

Dr. McClure shpjegon se sociopatët nuk kanë mungesë të aftësisë për t’u lidhur emocionalisht, por kanë një aftësi të dëmtuar, që shpesh çon në shpërthime impulsive nga frustrimi.

Kjo i bën të paparashikueshëm dhe marrëdhëniet e tyre shpesh kthehen në kaos.

Psikoterapistja Claire Law shton:

Sociopatët mund të jenë të ngrohtë një moment dhe të zemëruar momentin tjetër. Ata reagojnë emocionalisht dhe veprojnë pa menduar pasojat, gjë që i bën marrëdhëniet e tyre të paqëndrueshme.

3. Jetojnë në “skajin e jetës” dhe përdorin sharmin për përfitime personale

Ndryshe nga psikopatët, të cilët janë më të ftohtë dhe të distancuar, sociopatët shpesh janë të suksesshëm, të qetë nën presion dhe shumë tërheqës në shoqëri.

Sipas Dr. McClure, kjo vjen nga fakti se ata kanë një temperament natyral me ankth shumë të ulët.

Kjo u lejon të ndërmarrin rreziqe pa frikë – dhe shpesh të manipulojnë të tjerët me qetësi të frikshme.

Psikoterapisti Sumeet Grover shpjegon:

T’ju tërheqin në botën e tyre u jep pushtet dhe një ndjesi madhështie. Brenda vetes kanë një identitet të fragmentuar dhe nuk ndjejnë si të tjerët. Mund të duken shumë të këndshëm dhe bindës, por thellë brenda kanë mungesë empatie dhe pendese.

Studimet tregojnë madje se në situata stresi, kur rrahjet e zemrës së shumicës rriten, tek sociopatët ato qëndrojnë të njëjta apo bien.

Kjo i shtyn të nënvlerësojnë rrezikun dhe të kërkojnë përvoja të forta emocionale – sepse vetëm ato u japin një ndjesi të vërtetë.

Psikologia Patric Gagne – e cila identifikohet si sociopate funksionale – shkruan:

E kuptova pse veprimet e këqija më bënin të ndihesha gjallë… Edhe për një çast të shkurtër, më afronin me mënyrën se si e përjetoja që njerëzit e tjerë ndjeheshin gjatë gjithë kohës. Nuk ishim “të këqij” ose “të çmendur”, thjesht e kishim më të vështirë me ndjenjat. /GazetaExpress/PortaliAlarm/