# Tags
#Bota

Sophie Kinsella, autorja e serisë së famshme “Shopaholic”, ndahet nga jeta në moshën 55-vjeçare

Bota e letërsisë humbi sot një nga zërat më të dashur të zhanrit “chick-lit”. Shkrimtarja britanike Sophie Kinsella, e njohur për serinë bestseller “Shopaholic”, ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare.

Lajmi u konfirmua nga familja e saj përmes një deklarate prekëse, ku u bë e ditur se autorja, emri i vërtetë i së cilës ishte Madeleine Sophie Wickham vuante nga një formë agresive e kancerit në tru, glioblastoma, me të cilën ishte diagnostikuar në vitin 2022.

Në deklaratë familja shkruan:

“Me zemër të thyer njoftojmë ndarjen nga jeta të Sophie sonë të dashur… Ditët e saj të fundit ishin të mbushura me dashuritë e saj të vërteta: familja, muzika, ngrohtësia, Krishtlindja dhe gëzimi. Ajo e përballoi sëmundjen me një kurajë të paimagjinueshme dhe ishte gjithnjë mirënjohëse për miqtë, familjen dhe suksesin në karrierë.”

Kinsella e bëri publik diagnozën vitin e kaluar, duke treguar se kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale të suksesshme dhe ishte nën trajtim me radioterapi dhe kimioterapi.

Një autore që preku zemra në mbarë botën

Me stilin e saj të lehtë, humorin e hollë dhe personazhe plot jetë, Sophie Kinsella u shndërrua në një fenomen global. Librat e saj janë përkthyer në mbi 40 gjuhë dhe kanë shitur më shumë se 50 milionë kopje në 60 vende.

Personazhi i saj më i famshëm, Becky Bloomwood, një gazetare e varur pas blerjeve, u kthye në ikonë të kulturës pop, falë edhe adaptimit filmik “Confessions of a Shopaholic”, ku rolin kryesor e interpretoi aktorja Isla Fisher.

Vepra e fundit, e frymëzuar nga beteja me sëmundjen

Libri i saj i fundit, “What Does It Feel Like?”, i botuar vitin e kaluar, u shkrua pas operacionit dhe u frymëzua drejtpërdrejt nga përvoja e saj me kancerin, një reflektim i ndjeshëm mbi jetën, frikën dhe shpresën.

Ndarja nga jeta e Sophie Kinsellës lë një boshllëk të madh në letërsinë bashkëkohore, por trashëgimia e saj artistike dhe gëzimi që u dha miliona lexuesve do të mbeten të paharruara./KultPlus.com