# Tags
#Botë #Lajme

U veshën si “Peaky Blinders”, të rinjtë afganë i zë sherri me talebanët

Katër të rinj afganë, të cilët u veshën si personazhet e “Peaky Blinders”, janë qortuar nga talebanët.

Në postimet e tyre në rrjete sociale, grupi shfaqet me kostume të errëta, pallto dhe kapela të sheshta – pamje tipike për familjen kriminale fiktive Shelby, të paraqitur në serial.

Por tashmë, djemtë rreth të njëzetave janë ndaluar nga regjimi taleban për veshje “në kundërshtim me vlerat afgane dhe islame”, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

Sipas raportimeve, të rinjtë janë nga Jebrael, në provincën perëndimore të Heratit.

Saiful Islam Khyber, zëdhënës i Ministrisë së Talebanëve për Përhapjen e Virtytit dhe Parandalimin e Vesit, ka komentuar rastin.

Ai ka postuar në rrjetet sociale: “Ata u kapën duke promovuar kulturën e ekranit dhe duke imituar aktorë filmash në Herat, dhe është nisur një program për rehabilitimin e tyre”.

“Falë Zotit, ne myslimanët dhe afganët kemi fenë, kulturën dhe vlerat tona. Ne e kemi shpëtuar këtë vend nga promovimi i kulturave të këqija me sakrifica të mëdha dhe tani po e mbrojmë atë”, deklaroi ai.

Megjithatë, në një prononcim për CBS, ai ka këmbëngulur se të rinjtë nuk janë arrestuar, “vetëm janë thirrur, këshilluar dhe liruar”.

Videot e grupit duke ecur nëpër rrugët e qytetit të tyre kanë mbledhur mbi një milion shikime në TikTok.

Ato janë postuar nga njëri prej të rinjve, i cili përdor emrin Thomas Shelby, sipas personazhit kryesor të Cillian Murphyt. Në një intervistë në muajin nëntor për kanalin në YouTube “Herat Mic”, të rinjtë thanë se kanë marrë reagime kryesisht pozitive nga banorët lokalë.

“Fillimisht kishim dyshime, por sapo dolëm jashtë, pamë se njerëzit e admironin stilin tonë, na afroheshin në rrugë dhe kërkonin të bënin foto me ne”, tha Yaqoobi.

“Pavarësisht disa komenteve negative, ne u përqendruam te mirënjohja që na shprehej”. /Klankosova.tv/PortaliAlarm/.