February 9, 2026
# Tags
#Bota #Lajme

Pas faljes nga Trumpi, lirohet nga burgu ish-presidenti i dënuar me 45 vjet burg për drogë

Ish-presidenti i Hondurasit, Juan Orlando Hernandez, i cili ishte dënuar me 45 vjet burg për rolin e tij në një operacion për trafikimin e drogës gjatë të cilit ishin futur në ShBA qindra tonë kokainë, u lirua nga burgu pas faljes nga presidenti amerikan, Donald Trump, konfirmuan të martën zyrtarët.

Hernandezi u lirua të hënën nga burgu “Hazelton” në Virgjinian Perëndimore të ShBA-së, i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” një zëdhënës i Byrosë Federale të Burgjeve. Edhe në të dhënat e këtij institucioni në internet pasqyrohej lirimi i ish-presidentit të Hondurasit, përcjell Nacionale.

Lirimi i tij – ish-aleat i ShBA-së dënimi i të cilit, sipas prokurorëve, e shpërfaqte thellësinë e ndikimit të karteleve në Honduras – vjen vetëm disa ditë pas zgjedhjeve presidenciale në këtë shtet. Trumpi e mbrojti vendimin të dielën gjatë fluturimit me aeroplanin presidencial, “Air Force One”.

Falja e Hernandezit ndodhi gjithashtu në kohën e nismës agresive kundër narkotikëve nga presidenti amerikan, e cila ka nxitur kundërthënie intensive në Amerikën Latine. Muajve të fundit, forcat amerikane kanë goditur disa herë barka për të cilat thonë se ishin duke transportuar drogë drejt veriut./Nacionale/PortaliAlarm/