February 10, 2026
# Tags
#Botë #Kosovë #Kulturë #Lajme

46 vjet nga Çmimi Nobel për Paqe: Dita kur bota mësoi se Shën Tereza ishte shqiptare

Sot, në një ditë kur në mbarë botën zhvillohen fushata për 365 ditë të Drejtat e Njeriut, shënohen 46 vjet nga momenti historik kur Shën Tereza u nderua me Çmimin Nobel për Paqe, duke hyrë përgjithmonë në panteonin e figurave më të mëdha humanitare të njerëzimit.

Më 10 dhjetor 1979, në Oslo të Norvegjisë, Gonxhe Bojaxhiu u shpall fituese e Çmimit Nobel për Paqe, duke u bërë shqiptarja e parë që merr vlerësimin më prestigjioz ndërkombëtar. Ishte një ngjarje që jo vetëm vlerësoi veprën e saj të jashtëzakonshme, por edhe solli në vëmendjen globale origjinën e saj shqiptare.

Në një nga momentet më domethënëse të ceremonisë, një klerik i pranishëm në sallë e pyeti se nga ishte. Përgjigjja e saj u kthye në një deklaratë historike identiteti dhe përulësie:

“Jam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri.”

Atë ditë, e gjithë bota mësoi qartë se Shën Tereza ishte shqiptare. Edhe pse pas një largimi prej rreth 70 vjetësh nga hapësira shqipfolëse ajo e kishte të vështirë të fliste rrjedhshëm shqip, origjinën e saj nuk e mohoi kurrë. Përkundrazi, ajo e afirmoi vazhdimisht, si në deklarata publike ashtu edhe në përshëndetjet drejtuar popullit shqiptar pas marrjes së Çmimit Nobel.

Shkrimet e saj në shqip përfshijnë kryesisht letrat e rinisë dhe korrespondencën me familjen, si dhe mesazhet drejtuar shqiptarëve në momente kyçe të jetës së saj.

Veprimtaria e Shën Terezës gjatë jetës është përmasash që sfidojnë çdo statistikë humane. Sipas të dhënave të mesit të viteve ’80, ajo ishte:

Nënë kujdestare për 7,500 fëmijë në 60 shkolla

Kujdestare shëndetësore për 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri

E vetmja në botë që trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika

Mbështetëse e 3,400 të moshuarve të braktisur në 20 shtëpi pleqsh

Kishte birësuar 160 fëmijë bonjakë apo të braktisur

Këto shifra nuk janë thjesht numra, por dëshmi e një jete të përkushtuar krejtësisht shërbimit ndaj dinjitetit njerëzor.

Sot, 46 vjet pas Nobelit, figura e Shën Terezës mbetet simbol botëror i mëshirës, përkushtimit dhe humanizmit – dhe për shqiptarët, një burim krenarie që i dha botës një emër të pavdekshëm./KultPlus.com/PortaliAlarm/