Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se pas riverifikimit dhe pezullimit të certifikatave të biznesit për Klan Kosova SH.P.K. dhe ARTMOTION SH.P.K., MINT nuk është ndalur vetëm me këto dy raste.
Në një shkrim në llogarinë e saj zyrtare në Facebook, Hajdari thotë se MINT ka themeluar Komisionin për riverifikim të dosjeve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), në veçanti të atyre me dokumentacione të dyshimta me emërtime antikushtetuese.
“Përgjatë 10 ditëve gjatë këtij muaji korrik – 10.07.2023 deri më datë 19.07.2023, Komisioni ka riverifikuar 660 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK. Fokus i riverifikimit kanë qënë dosjet që kryesisht kanë prezantuar dokumentin personal me rubrikën vendi/shteti i lindjes, apo vendbanimi aktual me emërtime kundërkushtetuese”, tha ministrja.
Sipas saj, si rezultati i riverifikimit të dosjeve, Komisioni ka konstatuar që, në 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK, ka emërtime kundër kushtetuese, pasi është shkruar “”Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia”, “Pejë – Republika e Serbisë”, “Gjilan – Serbia” etj”.
“Si rezultat i riverifikimit të dosjeve, Komisioni ka konstatuar që, në 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK kemi emërtime kundërkushtetuese, ku në rubrikën vendi/shteti i lindjes apo vendbanimi aktual është shkruar: “Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia”, “Pejë – Republika e Serbisë”, “Gjilan – Serbia” “Gjakovë – Republika e Serbisë” etj”, u shpreh tutje Hajdari.
Ministrja theksoi se ARBK do të vazhdojë me zbatimin e ligjit edhe në këto 48 raste tjera, në të njëjtën mënyrë të trajtimit sikurse për Klan Kosova sh.p.k. dhe ARTMOTION sh.p.k”.
Në fund sqaroi se pretendimet që MINT ka vepruar me qëllim që të kufizojë lirinë e medias apo me prapavijë politike, “janë tendencioze dhe plotësisht të pavërteta”./Shkruan Telegrafi/