Veprat e artit bashkëkohor të ekspozuara në kuadër të edicionit të katërt të “Autostrada Biennale” i kanë lënë mbresa edhe kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj. Madje njërën prej tyre synon ta mbajë përgjithmonë në qendër të qytetit, nëse për këtë arrihet ujdia me autoren. Pavarësisht epilogut të këtyre bisedimeve, ai ka konsideruar se një ngjarje e tillë, bashkë edhe me aktivitetet e tjera kulturore promovojnë turizmin e rrjedhimisht edhe zhvillimin ekonomik të qytetit. Ndërsa drejtuesit e “Autostrada Biennales” kanë shprehur qëndrimin se ky organizim promovon rajonin si tërësi, meqë është ngjarja kryesore e artit bashkëkohor ndërmjet Venecies dhe Stambollit.
Totaj të mërkurën ka vizituar disa vepra të artit bashkëkohor të ekspozuara në hapësira publike, objekte komunale e në selinë e “Autostrada Biennales”.
“Prizreni është me fat që e ka një entuziazëm të tillë dhe që ka njerëz që merren me organizimin e aktiviteteve të kësaj natyre. Pothuajse i tërë qyteti është shndërruar në galeri”, ka thënë Totaj.
Ndalesa e parë e tij ka qenë vepra “Në thellësinë e natës qielli sheh diellin” nga autorja Neda Saeedi, e cila imagjinon një sy të qytetit që sodit nga e kaluara drejt së ardhmes – brenda piedestalit rrethor të monumentit të shkatërruar të partizanëve – gjë që simbolizon rrëfimin e pasosur të shpërnguljes dhe vendosjes. Kjo vepër e qelqtë frymëzohet nga fenerët Fresnel dhe nga vetë fjala Kosovë, që do të thotë fusha e mëllenjave, ku gjashtë mëllenja që qarkullojnë brenda syrit theksojnë etnitë e ndryshme të Kosovës në lëvizje dhe kthim të vazhdueshëm. Madje lëvizja e tyre e pasosur lidhet me rrëfimet e shumta që presin radhën të tregohen në këtë pjesë të lashtë të botës.
“Vepra e artistes me origjinë iraniane, e me shtetësi gjermane e ka zbukuruar komplet sheshin. Kjo vepër është prodhuar enkas për këtë vend. Jemi duke shqyrtuar mundësinë se si ta mbajmë këtë vepër këtu përgjithmonë”, është shprehur Totaj.
Ndërsa Leutrim Fishekqiu nga “Autostrada Biennale” ka pohuar se ky organizim është njëra prej ngjarjeve kryesore të artit bashkëkohor në rajon që promovon artistët e kësaj ane, por njëkohësisht tërheq edhe publik nga vendet fqinje.
“Për këtë arsye edhe quhet ‘Autostrada Biennale’ apo Bienale në lëvizje, pra nuk e ka emrin e qytetit, dhe ky është edhe thelbi i krejt ekspozitës që tregon një unitet që i bashkon njerëzit”, ka deklaruar Fishekqiu.
Sipas tij, Komuna e Prizrenit është partner i rëndësishëm, meqë krahas mbështetjes financiare, ofron edhe hapësirat publike dhe objektet e ndryshme që për dy muaj shndërrohen në galeri që presin vizitorë.
Ai është shprehur i kënaqur me rrjedhën e deritanishme të “Bienales”, pasi deri më tani prej 30 artistëve pjesëmarrës, 90 për qind të tyre kanë ardhur në Kosovë, bashkë me shumë gazetarë të kulturës dhe vizitorë të tjerë.
Totaj ka vizituar edhe veprat e artistëve Bourcha Khalili, Bajram Mehmeti, Nil Yatler, Oscar Lara dhe Kostas Bassanos, dhe nga stafi i “Bienales” është njohur me përmbajtjen e tyre. Për të organizimet kulturore janë vlerë e Prizrenit.
“Qyteti i Prizrenit po shndërrohet në një qendër të kulturës, jo vetëm kombëtare. Ka shumë festivale, shumë aktivitete artistike, shumë njerëz nga e tërë bota po vijnë këtu, kjo natyrisht se promovon vlerat e qytetit dhe të Koosvës, dhe njëkohësisht i jep një impuls zhvillimit të turizmit si komponentë e rëndësishme e zhvillimit të ekonomisë”, ka thënë Totaj, teksa është zotuar për përkrahjen e këtyre aktiviteteve kulturore.
Edicioni i katërt i “Autostrada Biennales” ka sjellë temën “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”, që sipas kuratoreve “është një ekspozitë për atë që na bën e që na zhbën, çfarë na thur me njëri-tjetrin e çfarë na shthur, për liritë përtej zgjedhjeve, për të imagjinuarat që rrjedhin pavarësisht nga kufijtë dhe përmatanë tyre”. Sipas kuratoreve është një ekspozitë për autobiografitë kolektive që mbahen në arkiva kulturorë, në ata rezervuarë të thellë fjalësh, gjësendesh, yrnekësh, ndjenjash ose keqkuptimesh, dhe ka të bëjë me lidhjen me të panjohurën.
“Ajo që është e paarkivueshme na kujton që një ditë, të gjitha imazhet do të zhduken, duke u rrëzuar në gollen e kohës. Prapëseprapë arti mbijeton si gjuhë qëndrese dhe paepurie, si mënyrë për të përligjur të qenët tonë në këtë botë, si një horizont që feks përtej regjimeve sundimtare pamore”, thuhet në deklaratën e kuratoreve Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza.
“Bienalja” sivjet mbahet në Prizren, Prishtinë e Mitrovicë dhe pjesa më e madhe veprave janë prodhuar në “Autostrada Hangar”./Shkruan Koha Net/