Burgim i përjetshëm për Dardan Krivaçën, 15 vjet burgim për Arbër Sejdiun – aktgjykimi i plotë i Gjykatës Themelore të Ferizajt

Gjykata Themelore e Ferizajt ka dënuar sot me burgim të përjetshëm Dardan Krivaçën për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, ndërkaq me 15 vjet burgim është dënuar Arbër Sejdiu për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë. 

Trupi gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave personale dhe materiale, të pandehurit Dridan Krivaçën dhe Arbër Sejdiu i gjeti fajtorë, ndërkaq në dënim do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim, i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Dardan Krivaça akuzohet se më datë 21 gusht 2021 në banesën në Ferizaj, në intervalin nga ora 10:14 deri të nesërmen më datë 22 gusht 2021 në ora 14:43, gjersa ka qenë duke bashkëjetuar me tani të ndjerën Marigona Osmani për motive të xhelozisë, me vetëdije ndërmerr veprime të dhunshme, posaçërisht të rënda – ekstreme ndaj saj.

Gjatë dy ditëve rresht, kohë pas kohe në vazhdimësi me një shkop të drurit e godet viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psikike.

Nga pasoja e kësaj dhune ekstreme të shkaktuara nga shtypja, goditjet apo përplasja nga ndonjë mjet të fortë dhe të rëndë mprehtës shkaktohet vdekja e të ndjerës M.O., e cila ka ardhur si rrjedhojë e politraumës – lëndimeve të shumëfishta.

Politrauma dhe vdekja kanë ardhur drejtpërdrejti nga asfiksia mekanike si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme nga thyerjet e ashtit, të nofullës së poshtme, thyerjet e brinjëve djathtas dhe majtas, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhje epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madhe dhe trurit të vogël, këputje parciale të palcës së kurrizit në qafë dhe të njëjtën me ndihmën e Arbër Sejdiut e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.

Arbër Sejdiu akuzohet se me datë, vend dhe kohë të përshkruar si në dispozitiv, me dashje i ka ndihmuar të akuzuarit Dardan Krivaça ta kryej veprën penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së, në atë mënyrë që fillimisht kontakton me të akuzuarin Dardan Krivaça përmes telefonit dhe takohet në qytet, pastaj së bashku kthehen në banesën e të akuzuarii cili ishte duke bashkëjetuar me tani të ndjerën Marigona Osmani.

Me dashje ndërmerr veprime duke i krijuar të akuzuarit Dardan Krivaça kushte për kryerjen e veprës penale, në atë mënyrë që përderisa i akuzuari Krivaça ishte duke ushtruar dhunë fizike ekstreme ndaj të ndjerës Marigona Osmani i akuzuari Arbër Sejdiu ofrohet tek dera e dhomës ku ishte e ndjera, vazhdon tek dera e hyrjes së banesës dhe përmes vrimës së derës së hyrjes së banesës shikon dhe përcjell gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke i dëgjuar apo lëvizur aty pari.

Ai po ashtu disa herë e provon derën e hyrjes se a është e mbyllur, e të cilat veprime i njëjti gjatë qëndrimit në banesë i përsëritë në mënyrë të vazhdueshme herë pas here për të mënjanuar pengesat për gjatë kohës sa i akuzuari Dardan Krivaça ishte duke ushtruar dhunë fizike ekstreme tek e ndjera.

Po ashtu i njëjti disa herë del nga banesa për të blerë gjëra ushqimore ku edhe nga video incizimet vërehet se gjatë gjithë kohës së qëndrimit në banesë të akuzuarit Arbër Sejdiu dhe Dardan Krivaça kanë biseduar në telefon dhe njëkohësisht kanë biseduar në mes vete, ku dhe qëndrimi i tij gjatë gjithë natës në banesën e të akuzuarit D., tregon qëllimin e tij për të ndihmuar atë në kryerjen e veprës penale.


Ndërsa, për veprat penale të dhunimit dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale të dhunimit, të akuzuarit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu lirohen nga akuza.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt. /Shkruan Telegrafi/

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë