Dy marrëveshje në fushën e shëndetësisë janë nënshkruar mes qeverive të Kosovës e Shqipërisë para më shumë se një viti. Njëra, ajo për shkëmbim të përvojave e shërbimeve, është lënë në harresë, e tjetra që ka të bëjë me fushën farmaceutike, është ende në fazën e diskutimeve
Ani se ka kaluar më shumë se një vit prej nënshkrimit të dy marrëveshjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e shëndetësisë, asnjëra nuk është duke u zbatuar.
Në qershor të vitit të kaluar Ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë u dakorduan për bashkëpunim spitalor në zonat kufitare, si dhe në fushën farmaceutike.
Shkëmbimi i mjekëve, eksperiencave, ofrimi i shërbimeve të urgjencës mjekësore e dhënia e bonuseve për mjekët e Kosovës që do të ofrojnë shërbime në spitalin e Kukësit ishin disa nga pikat e njërës prej marrëveshjeve.
Në dy spitalet e Kosovës rrëzë kufirit thonë se në terren nuk ka asgjë nga kjo marrëveshje.
“Kanë qenë vizita të cilat kanë ndodhur edhe para nënshkrimit të marrëveshjes, d.m.th. kemi mjekë të cilët kanë raporte të shkëlqyeshme me kolegët e tyre në Kukës apo në qytete të tjera dhe ata kanë shkuar kështu me vetiniciativë sa e di unë deri më tani dhe kanë kryer intervenimet të cilat nuk kryhen atje. D.m.th., asgjë nuk është kryer në mënyrë të organizuar, nuk ka pasur diçka, d.m.th. konkrete nga kjo marrëveshje deri më tani”, ka thënë Hasan Arzoallxhiu, drejtor mjekësor në Spitalin e Prizrenit.
Edhe në Spitalin e Gjakovës e thonë të njëjtën gjë.
Ndryshe për marrëveshjen lidhur me shkëmbimin e përvojave dhe shërbimeve, për atë në fushën farmaceutike ka disa lëvizje para.
Në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore kanë njoftuar se në prill dhe në qershor kanë zhvilluar takime me zyrtarë të agjencisë në Shqipëri dhe se janë dakorduar për intensifikim të bashkëpunimit në disa drejtime.
“Në funksion të zbatimit të marrëveshjes në fushën farmaceutike, Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore ka bashkëpunuar ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore në Shqipëri. Më datën 7 dhe 8 prill 2023 një delegacion nga AKBPM ka vizituar AKPPM-në, ku të dy agjencitë respektive janë dakorduar lidhur me planin e bashkëpunimit, të cilin e gjeni të bashkangjitur. Po ashtu, më datën 9 qershor 2023, një delegacion i AKPPM-së ka vizituar AKBPM-në, ku janë dakorduar pikat e bashkëpunimit”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore.
KOHA ka nisur pyetje në ministritë e Shëndetësisë në Kosovë e Shqipëri, por tash e një muaj nuk ka marrë përgjigje nga asnjëra se pse nuk janë vënë në zbatim këto marrëveshje.
Më herët KOHA ka raportuar se si në Kosovë ofrohet shërbimi i dializës falas për shtetasit e Shqipërisë, por kjo nuk ndodh në Shqipëri për shtetasit e Kosovës.
/Shkruan KOHA/