Lek i ri apo i vjetër, 58 vjet më parë nisi këmbimi i monedhës por shumë shqiptarë vazhdojnë të hasin vështirësi në emërtimin e tij

Më 16 gusht të vitit 1965, filloi këmbimi i monedhës së vjetër lek me monedhën e re lek. Këmbimi u bë në raportin 10 lekë të vjetra me 1 lek të ri, pa asnjë kufizim, nga data 16 gusht deri më 15 tetor të 1965-ës.

Banka e Shtetit Shqiptar u autorizua të hiqte gradualisht nga qarkullimi monedhat dhe kartëmonedhat e viteve 1947, 1949 dhe 1957, dhe të vinte në qarkullim monedhën e re Lek, në kartëmonedhat me prerje prej 100, 50, 25, 10, 5, 3 dhe 1 lek dhe monedhat metalike prej 1 lek, 50, 20, 10 dhe 5 qindarka të vitit 1964.

Kartëmonedhat me të njëjtat pamje u rishtypën edhe në vitin 1976, duke ndryshuar vetëm vitin e emetimit.

Nga 16 gushti 1965, çmimet e mallrave dhe të shërbimeve, pagat e punës, pensionet, bursat, tatimet e taksat dhe çdo veprim tjetër financiar midis ndërmarrjeve, institucioneve e organizatave shtetërore, kooperativiste e shoqërore ose i shtetasve llogariteshin me monedhën e re, sipas raportit 10 me 1.

Publiku hasi vështirësi të mëdha në emërtimin e lekut të ri me vlerën e tij të vërtetë. Për shembull, kartëmonedhën e re 10-lekëshe vazhdoi ta quante 100-lekëshe.

Për të ndryshuar këtë mendësi që na shoqëron që nga reforma monetare e vitit 1965, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një fushatë kombëtare për ndërgjegjësimin e publikut me temë “As i vjetër e as i ri, jam thjesht lek!”.

Kjo fushatë, synon t’i tërheqë vëmendjen publikut për leximin e drejtë të vlerës nominale të shkruar në monedhat dhe kartëmonedhat kombëtare lek, pa shtuar 0 apo përcaktues të panevojshëm si “i ri” apo “i vjetër”. /Shkruan Telegrafi/

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë