Arrestohet një përfaqësues ligjor në Ferizaj – keqpërdori 16 mijë euro të palës së dëmtuar në një aksident që ndodhi më 2012

Policia e Kosovës në Ferizaj ka arrestuar një person për keqpërdorim të besimit.

Sipas njoftimit nga policia thuhet se me datën 22 gusht 2023, rreth orës 10:00, Sektori Rajonal i Hetimeve në Ferizaj kishte pranuar një informacion nga një person se nuk ishte kompensuar nga një kompani e sigurimeve, për çështjen juridike të kompensimit të dëmit jo material, për aksidentin që i kishte ndodhur në vitin 2012 .

“Lidhur me këtë, hetuesit rajonal nën autorizim të prokurorit nga Prokuria Themelore në Ferizaj i kishin nisur hetimet dhe nga provat e grumbulluara, lënda në të cilën ishte dëmtuar ankuesi, një pjesë ishte gjykuar dhe kishte formën e plotfuqishmërisë, kurse pjesa tjetër ishte kthyer në rigjykim”, thuhet në njoftim.

Policia më tej bënë të ditur se më datë 01.10.2020 kompania e sigurimeve kishte bërë transferin e parave rreth 16 mijë euro në llogari të një përfaqësuesi ligjor, mirëpo ekziston dyshimi se përfaqësuesi ligjor i palës së dëmtuar, për arsye ende të panjohura nuk i ka përmbushur detyrimet ligjore, ose i kishte keqpërdorur autorizimet me qëllim që vetes, apo personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, apo t’i shkaktojë dëm personit që ka përfaqësuar.

“Me datën 04.09.2023, përfaqësuesi ligjor është shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve dhe pas intervistimit nga policët hetues, është informuar Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe me Aktvendim mbi ndalimin e personit të arrestuar, të lëshuar nga gjykatësi i Procedurës Paraprake nga Gjykata Themelore në Ferizaj është ndaluar për 48 orë, për procedura tjera hetimore, ndërsa rasti është cilësuar ‘’ Keqpërdorim i besimit’’”, thuhet në njoftim. /Shkruan Telegrafi/

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë