Policia e Kosovës ka dhënë disa detaje pas arrestimit të mjekut me inicialet S.D, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 11:05, në Prishtinë.
Tutje në raport bëhet e ditur se nga i dyshuari në cilësi të provave janë sekuestruar një shumë e të hollave, një telefon celular si dhe disa pajisje mjekësore.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale marrje e ryshfetit. Nga i dyshuari në cilësi të provave janë sekuestruar një shume e te hollave, një telefon celular si dhe disa pajisje mjekësore”, thuhet në raport.
Po ashtu, bëhet e ditur se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka urdhëruar të hënën që të ndalohet mjeku S.D, i cili gjatë punës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dyshohet për veprën penale “marrje e ryshfetit”.
Prokuroria në njoftimin e bërë për media thotë se është duke vazhduar hetimet lidhur me rastin, transmeton Telegrafi.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti për Krime të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka urdhëruar ndalimin e personit me inicialet S.D., në cilësinë e mjekut në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, sipas KPRK-së. Prokuroria në koordinim me Policinë është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë çështje penale”, thuhet në njoftim.
Pas arrestimit të mjekut kanë reaguar edhe nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka reaguar pas arrestimit të një mjeku të QKUK-së të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre pas marrjes së lajmit. Tutje në reagim është bërë e ditur se drejtoria e ShSKUK-së është duke e përcjellë me vëmendje këtë situatë dhe do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore. /Shkruan Telegrafi/