Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka reaguar pas bastisjeve të Speciales në banesat e dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu në ‘Kodrën e Diellit’ në Prishtinë.
Klinaku thotë se Zyra e Prokurorit të Specializuar në mungesë të fakteve po vazhdon me filmat e tyre, transmeton Telegrafi.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, në mungesë të fakteve, vazhdojnë me filmat e tyre. Që në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë filluar bastisjet e banesës së familjes së heronjve Fahri e Bahri Fazliu në ‘Kodrën e Diellit’ në Prishtinë. ZPS janë të poshtër, meqenëse nuk ka shtet serioz”, thotë ai.
Ndryshe, pjesëtarë të Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë janë duke kryer bastisje në Prishtinë.
Bastisja ka nisur në orët e mëngjesit në banesën e familjarëve të dëshmorëve, Fahri e Bahri Fazliu në lagjen “Kodrën e Diellit”.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar avokati i familjes, Artan Qerkini.
Ndryshe, Fahri Fazliu më 2 nëntor të vitit 1989 bashkë me Afrim Zhitinë kanë rënë heroikisht në një betejë me policinë serbe në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.
Ndërsa vëllai i tij, Bahri Fazliu, ka rënë heroikisht më 7 maj të vitit 1998, në vendin e quajtur Bogiqe të Malit të Zi. /Shkruan Telegrafi/