Rregullatorët amerikanë paralajmërojnë bankat për kriptomonedhat

Rregullatorët amerikanë kanë lëshuar paralajmërimin e tyre të parë të përbashkët për bankat mbi rreziqet që lidhen me tregun e kriptomonedhave, shkruan BBC.

Mbikëqyrësit u thanë institucioneve financiare që të jenë të kujdesshëm ndaj mashtrimeve të mundshme, pasigurisë ligjore dhe zbulimeve mashtruese nga kompanitë e aseteve digjitale.

Bankat gjithashtu u paralajmëruan për “rrezikun e infektimit” nga ky sektor.

Paralajmërimi vjen vetëm dy muaj pasi platforma FTX tronditi industrinë e kriptove, duke shpallur falimentimin. 

Në deklaratën e përbashkët, Rezerva Federale e SHBA-së, Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave dhe Zyra e Kontrolluesit të Monedhave thanë se po monitoronin nga afër aktivitetet e kriptove të organizatave bankare.

“Ngjarjet e vitit të kaluar janë shënuar nga paqëndrueshmëri të konsiderueshme dhe ekspozim të dobësive në sektorin e kripto-aseteve”, thuhet në deklaratë.

Rregullatorët kanë thënë gjithashtu se lëshimi ose mbajtja e kodeve të kriptove, të cilat ruhen në rrjete publike dhe të decentralizuara, ishte “me shumë gjasa të mos ishte në përputhje me praktikat e sigurta dhe të shëndosha bankare”.

Bankat u inkurajuan të ndërmarrin hapa për të shmangur përhapjen e problemeve në tregun digjitale në sistemin më të gjerë financiar.

“Është e rëndësishme që rreziqet që lidhen me sektorin e kripto-aseteve që nuk mund të zbuten apo kontrollohen të mos migrojnë në sistemin bankar”, shtohet në deklaratë.

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë