Ditë zi në Kosovë, institucionet vendosin flamurin në gjysmështizë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 25 shtator 2023, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit.

Në nderim të policit, institucionet kanë vendosur flamurin në gjysmështizë, ndërsa janë anuluar të gjitha aktivitetet, transmeton Telegrafi.

Policia e Kosovës më 24 shtator u sulmua nga grupe kriminale në veri, ku u vra polici Afrim Bunjaku,  një tjetër polic u  plagos dhe një u lëndua.

Pas aktit terrorist, rreth 30 persona të armatosur u fshehën në manastirin në Banjskë. Policia e Kosovës ftoi personat e armatosur të dorëzohen por ata vazhduan me sulme ndaj policisë, transmeton Telegrafi.

Policia njoftoi gjatë ditës së diel, se janë vrarë tre sulmues, si dhe ka arritur të arrestojë dy sulmues, dhe katër persona tjerë të cilët dyshohen se janë përfshirë me sulmin terrorist. /Shkruan Telegrafi/

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë