Kryeministri i vendit Albin Kurti, tha se pas sulmit terrorist në veri është dëshmuar se Serbia është e përkushtuar që të shkatërrojë, e jo të ndërtojë ura bashkëpunimi.
Në shënimin e Ditës Kombëtare të Boshnjakëve, Kurti tha se Policia e Kosovës ka treguar vendosmëri për rend e qetësi.
Sipas tij, rreshteri i vrarë, Afrim Bunjaku, ka rënë në mënyrë heroike, duke treguar se e ka dashur shtetin para se gjithash.
“Të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të fundit. Sulmi terrorist në veri ka treguar për dyshimet dhe pohimet tona të para hershme. Municionin që e kemi gjetur në manastir tregon përkushtimin e Serbisë që shkatërroj, e jo të ndërtojë ura. Policia ka treguar vendosmërinë dhe ka treguar se ka dashur rend e qetësi. Polici ynë Afrim Bunjaku ka rënë në mënyrë heroike, e ka humbur jetën, duke treguar që dashuria për shtetin është para të gjithave”, ka thënë Kurti.
Kurti u shpreh se qeveria është e përkushtuar në sundimin e ligjit dhe në luftë kundër kriminalitetit.
“Mundohemi për jetë të përbashkët për të gjitha komunitetet, e barazi për të gjithë. Jemi falënderues ndaj komunitetit boshnjak që ka kontribuar në ndërtimin e shtetit tonë dhe që marrin pjesë në nxjerrjen e vendimeve të rëndësishme. Qeveria është e përkushtuar në sundimin e ligjit dhe në luftë kundër kriminalitetit. Ky është tregues që kjo shoqëri mund të arrijë. Nuk mund të ketë demokraci pa të drejta të njeriut e pa sundim të ligjit. Ne përkujdesemi për të gjithë qytetarët. Kemi ndarë 3 milionë euro për komunitetet”. /Shkruan Telegrafi/