Dhënia e vizave të punës – Gjermania në disfavor me vendet e tjera

Drejtuesja e Agjencisë Federale të Punës, Andrea Nahles shpreh dyshime për suksesin e ligjeve gjermane të imigrimit. Kohët e gjata të pritjes për vizë në konsullata krijojnë disavantazhe kundrejt vendeve të tjera.

Për shkak të procedurave të gjata të dhënies së vizave në përfaqësitë gjermane jashtë, drejtuesja e Agjencisë Federale të Punës, Andrea Nahles dyshon në suksesin e ligjeve për imigrimin.

“Me këto propozime mund të arrihet numri i duhur i fuqisë punëtore”, thotë Nahles.

Socialdemokratja theksoi, se ka ende shumë pika të vështira për t’u kaluar. Problem përbën edhe mungesa e personelit në zyrat e të huajve në komunat gjermane.

Për shkak të ndryshimit demografik, Gjermanisë i mungojnë qindra mijëra punëtorë, sipas mendimit të ekspertëve. Që tani ka ngushtica të mëdha në sektorin e edukatoreve dhe punonjësve socialë, por edhe në kujdesin shëndetësor.

Sipas të dhënave të Institutit për Studimet e Tregut të Punës dhe Profesionit, nevojiten rreth 400 mijë forca pune në vit për të përmbushur boshllëqet në tregun gjerman të punës.

Kritika konsullatave gjermane

Nahles ka kritikuar konsullatat gjermane për pritjet disa mujore të emigrantëve potencialë për punë.

“Ky është një diavantazh i ndjeshëm konkurrence kundrejt vendeve të tjera, në një kohë që ne me gjuhën tonë të komplikuar, jemi gjithsesi në disavantazh me vendet e botës anglishtfolëse”, thekson ajo.

Drejtuesja e Agjencisë Federale të Punës propozon që për të përshpejtuar procedurat tek përfaqësitë jashtë të sqarohen vetëm çështjet që lidhen me sigurinë.

“Forcat e punës mund të vijnë në Gjermani dhe çështjet e tjera ligjore të sqarohen këtu”, theksoi ajo.

Duke iu referuar zyrave për të huajt, Nahles mori si shembull disa lande si Bavaria apo landi Saar që kanë krijuar pika qendrore të landit për punëtorët e huaj.

“Këto rrugë mund t’i përshkojnë edhe lande të tjera. Përveç kësaj Gjermania duhet të bëjë publicitet në mënyrë aktive jashtë vendit. Kjo nuk është detyrë e Agjencisë Federale të Punës, për këtë as nuk kemi personel”, tha Nahles.

Kabineti qeveritar gjerman miratoi në fund të nëntorit të vitit të kaluar Projektligjin e Imigrimit të Fuqisë Punëtore, që parashikon ndër të tjera “kartën e shanseve”, me të cilat mund të udhëtojë në Gjermani fuqi punëtore potenciale, pa paraqitur një kontratë pune nga jashtë.

Përtej kësaj do të ulen kriteret për lartësinë e rrogës dhe do të lehtësohet njohja e kualifikimeve të huaja. /Deutsche Welle/

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë