Shtatë muaj që kur u mbyll mundësia për qeveri ish-opozitare, pse nuk do të ketë mandatar nga ana tjetër?
- …Ka përgjegjësi dhe adresë…[LDK-ja].
Kështu para shtatë muajsh Bedri Hamza i PDK-së do të çonte porosi-faji te Lumir Abdixhiku i LDK-së, i cili s’po jepej assesi në një perspektivë të një qeverie nga blloku ish-opozitar.
Albin Kurti i Vetëvendosjes kishte humbur dhjetë mandate në Kuvend të Kosovës, kishte humbur shumicën shqiptare në legjislativ; dhe matematika zgjedhore kishte mbivendosur politikisht partitë që në mandatin e shkuar ishin në opozitë, shkruan Nacionale.
Abdixhiku në arsyetimet e para pse s’po jepej bënte dy-apo-tre arsye: se lëndohet LDK-ja, se s’arrihet gjë për 6-7 muaj qeveri dhe që s’hyn në formacione koalicioni pa qenë vetë ai kryeministër.
- “LDK ësht më e fuqishme, por nëse ne e lëndojmë LDK-në me procese afatshkurte, për ta rikthyer edhe njëherë mendësinë antishtetare, atëherë është dëmi i madh…Unë veç spo du me bë diçka që e penalizon LDK-në e më pas edhe Kosovën…Pse duhet bërë qeveri deri në mars? Unë veç spo du me bë diçka që e penalizon LDK-në e më pas edhe Kosovën. Sepse afatshkurtja nuk të jep mundësi për punë”, thoshte ai.
Kështu Abdixhiku në “Rubikon” të Klan Kosovës do të refuzonte ftesën e PDK – AAK’së për një qeveri të ish-opozitës pak kohë pasi qenë konkluduar zgjedhjet, edhe para se të ftohej tri herë nga Vetëvendosje për koalicion qeverisës: të cilën e kishte refuzuar gjithashtu po aq herë.
Njëkohshëm me Abdixhikun intervistë po jepte edhe Bedri Hamza i PDK-së në “Debat Plus”, i cili mbylljen e këtij prospekti për qeveri ish-opozitare do t’ia faturonte për “adresë dhe përgjegjësi” LDK-së. Edhe gjashtë-shtatë muaj qeverisje, për Hamzën, do të ishin të dëshirueshme dhe mirëbërëse për shtetin.
- “Kryhen do punë, dhe shkohet në zgjedhje, pastaj matemi…I rrisim rrogat…Jam i bindur që vitin e parë ato çka kam premtu një pjesë të rëndësishme të tyre janë të mundshme me u realizu: rritja e pagave, të pensioneve, krijimi i fondit shtetëror të bursave…përfundimi i disa projekteve kapitale dhe përgatitja e fillimit të disa të tjerave… (Pas këtyre) Shkojmë bre edhe në zgjedhje, hajt edhe shkojmë në zgjedhe. Cila është alternativa. Kryjmë punë, shkojmë në zgjedhje, matëm”, thoshte Hamza.
Por, Abdixhiku e merrte për fakt të kryer se nuk janë votat as nga ana ish-opozitare. Citonte deklarimet e Elbert Krasniqit dhe Emilja Rexhepit nga pakicat jo-serbe se nuk votojnë një qeveri të ish-opozitës. Dhe, edhe minus një deputete të partisë së vet, deputeten Marigona Geci.
Shtatë muaj më vonë…
Tashmë kur Albin Kurti i Vetëvendosjes u ekspozua dhe dëshmua që s’i ka votat dhe shterroi të drejtën e vet kushtetuese si mandatar për formimin e qeverisë së re, çështja ka kaluar te Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila duhet të konsultohet me partitë për të parë në do të ketë mandatar të ri që siguron 61 vota.
Mandatar të ri nga partitë ish-opozitare nuk do të ketë dhe zgjedhjet e reja janë konsensus i të gjithëve, të cilat parashikohen të mbahen nga mesi i dhjetorit.
Lumir Abdixhiku i LDK-së në intervistën e fundit në “Debat Plus” çoi porosi te Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Memli Krasniqi, se sa për LDK-në, nuk mund të llogaritet në çështjen e marrjes së një mandatari të dy të mundshëm.
Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës, mund të konstatojë “qysh të dielën” se asnjëra palë nuk ka shumicë parlamentare për qeveri të re, u shpreh Abdixhiku, duke e dhënë të paeukivoke se zgjedhjet e reja janë e vetmja alterantivë e mundshme në kontekstin aktual.
Rrëzimi i mandatarit Kurti…
Albin Kurti i Vetëvendosjes dje u ekspozua që s’i ka numrat, anipse me sigurinë më të madhe shprehej për tetë muaj me radhë se i ka. Por, partitë opozitare “po më bllokojnë, pikërisht sepse i kam”, sado sfiduese për logjikën që mund të jetë kjo.
Për herë të parë në histori të vendit dikush ia mësyu dhomës së përfaqësuesve të popullit të kërkojë votë nga partitë opozitare që t’ia vazhdojnë mandatin; anomali demokracie parlamentare kjo. 56 vota ishte fuqia e tij parlamentare dhe konsumoi të drejtën kushtetuese si mandatar për formim të qeverisë.
Propozoi 20 ministri, çka dikur argumentonte se në qeveritë paraprake shërbenin vetëm për hajni. Seanca u mbyll, çështja kaloi te Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për të parë nëse do të ketë mandatar të ri që e bind atë se mund t’i grumbullojë 61 vota për qeveri të re, qoftë nga blloku ish-opozitar, ose edhe nga vetë Vetëvendosja sërish./Nacionale/PortaliAlarm/
Albanian 

























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































