# Tags
#Kosovë #Lajme

Pesë vjet nga nisja e krerëve të UÇK-së për në Hagë, Bedri Hamza: “Gjykata Speciale e ka humbur integritetin dhe dinjitetin”

Sot shënohen pesë vite që nga nisja e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës drejt Hagës, pas konfirmimit të aktakuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ngjarjet që paraprinë këtë moment nisën më 4 nëntor 2020, kur njësitet e EULEX-it bastisën shtëpinë e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi. Bastisja, e urdhëruar nga gjyqtari i procedurës paraprake Nicollas Guillou, përfundoi me arrestimin e Krasniqit pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij.

Një ditë më vonë, më 5 nëntor, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thirri konferencë për media për të njoftuar dorëheqjen e tij nga ky post, pasi aktakuza ndaj tij ishte konfirmuar, kjo ndodhi paralelisht me deklaratat për publikun të Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Pasdite, Thaçi, Veseli dhe Selimi u paraqitën në zyrat e EULEX-it, prej nga u transferuan për në Hagë.

Këto dy data shënuan jo vetëm fillimin e një procesi gjyqësor të gjatë, por edhe një kthesë të rëndësishme simbolike në raportin ndërmjet kujtesës kolektive dhe drejtësisë ndërkombëtare.

Në lidhje me këtë përvjetor ka reaguar edhe Bedri Hamza në rrjetin e tij social Facebook duke pohuar se “Gjykata Speciale e ka humbur integritetin dhe dinjitetin”.

Postimi i plotë:

Gjykata Speciale e ka humbur integritetin dhe dinjitetin. Sot, 5 vjet pas dërgimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, më askush nuk mund ta fshehë se kjo është një padrejtësi e pashembullt. Aleatët e lirisë sonë, pavarësisë së shtetit tonë dhe paqes rajonale, duhet ta ndalojnë këtë proces të manipuluar.

Drejtësia që besojmë dhe kërkojmë është ajo që i shërben të vërtetës dhe jo agjendave të fshehta politike.

Kjo padrejtësi duhet të marrë fund!”, shkroi Hamza./PortaliAlarm/