# Tags
#Kosovë #Lajme

Durkee: Thaçi s’kishte autoritet ta ndalonte dhunën, komandantët e zonave kishin autonomi

Michael Durkee, këshilltari i ish-komandantit të NATO-s për Evropë, Wesley Clark, gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka thënë se ish-presidenti Hashim Thaçi nuk ka pasur autoritetet dhe kompetencën për ta ndaluar dhunën e cila u zhvillua në verën e viti 1999.

“Nuk kishte kompetencë, nuk kishte autoritet Hashim Thaçi për ta bërë këtë gjë, atëkohë”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se UÇK-ja nuk kishte në strukturë të konsoliduar të komandës dhe se komandantët e zonave operative kishin autonomi të konsiderueshme, raporton Koha.net

“Ne kishim këtë përshtypje që nuk kishte një strukturë solide ose të konsoliduar komandës që dikush të ishte në nivel të lartë në Prishtinë dhe të jepte urdhra të cilat më pas do të çonin në veprime ose në operacione të caktuara në terren nëpër zona operative. Komandantët e zonave operative kishin autonomi të konsiderueshme dhe ekzistonte vullneti i tyre për të vepruar me kokën e tyre kur ata e mendonin të përshtatshme”, ka deklaruar Durkee.

Ai ka folur edhe për përfshirjen e serbëve lokale në Kosovës, brenda të cilave sipas tij ishin krijuar grupe paramilitare që e shërbenin me informata ushtrinë serbe. 

“Nëse shikojmë se çfarë ka ndodhur në pranverën e vitit 1999 dhe veprimtaritë nuk kishin të bënin thjesht me kontrollin e Qeverisë serbe por gjithashtu edhe me grupe paramilitare të cilat ishin zhvilluar në popullsinë serbe në Kosovë. Në shumë vende, këta banorë serbë lokalë, po i jepnin informacion sa i takon se ku duhet të përqendroheshin forcat serbe”, është shprehur Durkee.

Ai ka folur edhe për siç e ka quajtur “reagim me inat”, të kosovarëve që ishin dëbuar nga forcat serbe e po ktheheshin nëpër vendbanimet e tyre të shkatërruara. 

“Perceptimi im, por gjithashtu edhe perceptimi i UNMIK-ut dhe KFOR-it që refugjatët që po ktheheshin që ishin dëbuar nga forcat e Millosheviqit nga Kosova në dimrin e egër 1998-99, po ktheheshin nga fshatrat e tyre dhe po shikonin që fshatrat e tyre ishin shkatërruar miqtë, shokët dhe fqinjët ishin aty, pra kishte nivele të ndryshme të shkatërrimit të jetës së përditshme dhe të zakonshme të shqiptarëve të Kosovës, pra ishin pasoja të rënda dhe të mëdha. Shumë prej tyre reaguan me dëshirën për hakmarrje me mëri dhe inat”, ka deklaruar Durkee./Koha.net/PortaliAlarm/