# Tags
#Sport

‘Sky Germany’: Bayerni po e mendon seriozisht transferimin e Asllanit

Gjiganti gjerman, Bayern Muunich duket se është i vendosur të transferojë yllin e Kosovës, Fisnik Asllanin.

Sipas “Sky Germany”, Bayern Munich ka rritur interesimin për sulmuesin kosovar të Hoffenheimit, i cili po kalon një sezon shumë të mirë në Bundesligë.

Asllani ka shkëlqyer deri tani duke regjistruar gjashtë gola dhe tre asistime në 12 paraqitje në të gjitha garat, duke e bërë atë një nga lojtarët më të spikatur të ekipit këtë edicion.

Siç raportohet, Bayerni ende nuk ka një qartësi të plotë për rolin që do t’i dedikohej 22-vjeçarit: a do të ishte ai një alternativë direkte për Harry Kane-in, një investim për të ardhmen, apo një kombinim i të dyjave? Klubi bavarez po e analizon me kujdes profilin e tij dhe potencialin që mund t’i sjellë skuadrës.

Edhe me fanellën e Kosovës, Asllani ka treguar efikasitet, duke shënuar tre gola në 11 paraqitje për përfaqësuesen dardane.

Bayerni pritet të marrë një vendim në javët e ardhshme, ndërsa vlera e sulmuesit dhe forma e tij aktuale e bëjnë këtë pistë gjithnjë e më interesante për kampionët rekord të Gjermanisë./RTK/Portali Alarm/