# Tags
#Bota #bota 1

Shtatë vende, një fitues: Tregu më i mirë i Krishtlindjes në Europë

Lëviznim shpejt mes pesë tregjeve të Winterlights falë rrjetit falas të tramvajeve. Radha ishte e shkurtër ose nuk ekzistonte fare, dhe mblidhnim me lehtësi ushqime për të shijuar. Kishte plot vende ku mund të uleshim me specialitete vendase, dhe ndonëse ishim ende të kujdesshëm për sendet tona, nuk ndjenim atë ndjesinë e vigjilencës që kishim përjetuar gjetkë. Por gëzimi i vërtetë?

Nga Catherine Boucher, BBC

Pas viteve me festime verore nën vapën australiane, një familje hoqi dorë nga kremi kundër diellit për borën dhe gjeti magjinë festive në një kryeqytet europian. Kasollet prej druri ishin zbukuruar me drita që vezullonin, një karusel rrotullohej me hijeshi dhe aroma e tymosur e salsiçeve të pjekura na tërhiqte gjithnjë e më thellë drejt sheshit të qytetit. Ishte sezoni i tregjeve të Krishtlindjes dhe familja jonë prej katër vetash ishte gati të shijonte çdo gjë.

Çdo vit, festojmë Krishtlindjen në vapë përvëluese, duke ngrënë darka të ngrohta dhe puding me fytyra të djersitura. Me festat në mes të verës australiane, nuk kemi shumë zgjedhje. Ndërsa për disa kjo ngrohtësi mund të jetë tërheqëse, ne kishim kohë që ëndërronim një Krishtlindje dimërore. Me fëmijën tonë më të madh tashmë të rritur, ishte tani ose kurrë. Veshëm rrobat e dimrit dhe hipëm në fluturimin e gjatë nga Melburni në Londër. Plani: një udhëtim me tren përmes shtatë vendeve dhe tetë qyteteve, me kohë të mjaftueshme për të shijuar çdo treg Krishtlindjeje gjatë rrugës.

NË KËRKIM TË FEUERZANGENBOWLE

Të udhëtosh do të thotë të hash. Është një moto që familja jonë e ndjek me përkushtim dhe shpesh përcakton se ku shkojmë. Krishtlindja ofron një mundësi veçanërisht të shijshme. Bëmë lista me gatime rajonale që donim të provonim në çdo qytet dhe nuk u lodhëm kurrë duke i ndjekur gjurmët e tyre. Çdo treg Krishtlindjeje na ofroi shije të mrekullueshme sezonale. Në Mainz, kafshuam me kënaqësi kartoffelpuffer, petulla patatesh të ngrohta e krokante. Në Pragë, nuk lamë pa provuar klobása, salsiçe çeke me mustardë dhe bukë. Në Budapest, u dashuruam me langos, një petë e skuqur, e butë dhe e shijshme. Fëmijët tanë nuk ngopeshin me shkopinjtë e frutave të mbuluara me çokollatë. Nuk ishte momenti për të numëruar kaloritë.

Sigurisht, gjithë ai ushqim i shijshëm kërkonte edhe diçka për ta shoqëruar dhe vera e ngrohtë ishte zgjedhja e natyrshme. Zbuluam pafund variacione: me qershi, mollë, boronica… por ishte një version nga Nurembergu që na rrëmbeu zemrën: feuerzangenbowle.

Kjo pije është e mbushur me histori dhe me rum. Blloqe sheqeri të lyer me alkool digjeshin mbi një enë gjigante me 9 mijë litra verë, duke sjellë ëmbëlsi të ngrohtë e të karamelizuar në gotat tona. Dukej krejtësisht e pranueshme të pije në çdo orë të ditës dhe ne e pranuam me kënaqësi, duke gjetur justifikime të shpeshta për të ndaluar te stenda buzë lumit për dozën tonë të përditshme. Përtej shijes, u kënaqëm me pamje dhe tinguj që nuk i kishim përjetuar kurrë në vendin tonë. Këngëtarët e korit na tërhoqën drejt katedrales 1 mijë vjeçare në Mainz, ku zbuluam një skenë lindjeje me figura të gdhendura në dru, në përmasa reale. Edhe pse tashmë të rritur për të marrë pjesë në lojërat e fëmijëve, nuk mund të mos ndaleshim për të dëgjuar tingujt e lehtë të karuselit sa herë kalonim pranë tregut të dedikuar për fëmijë në Nuremberg.

Artizanatet e mrekullueshme mbizotëronin në Budapest dhe Bratislavë, dhe sa do të kishim dashur më shumë hapësirë në bagazhe për të marrë me vete akuarelet e brishta, bizhuteritë dhe qeramikat që artistët i ekspozonin me krenari. Megjithatë, bëmë disa lëshime dhe, pak nga pak, ndërtuam një koleksion dekorimesh Krishtlindjeje, duke shtuar nga një në çdo qytet, kujtime që do të na rikujtojnë gjithmonë këtë aventurë, sa herë t’i vendosim në pemën tonë festive në shtëpi. Sa magjikë ishin tregjet, aq edhe të mbushur me njerëz dhe shprehja e vjetër “nuk ka trëndafil pa gjemba” na erdhi ndër mend më shumë se një herë.

TË MBYTUR NGA TURMA

Në Londër, hoqëm dorë nga planet për të darkuar në tregjet festive të Leicester Square dhe Covent Garden. Njerëzit ishin krah më krah, me hyrjet të bllokuara nga turma që gumëzhinte. E kishim përballuar turmën më të madhe të turneut Eras kur Taylor Swift performoi në Melbourne Cricket Ground, por kjo nuk na përgatiti aspak për tregjet e Krishtlindjes në Londër, në një mbrëmje të së shtunës. Lodhja nga udhëtimi nuk ndihmoi durimin tonë dhe u tërhoqëm shpejt drejt rrugëve më të qeta. Historia u përsërit edhe në Pragë, ku çdo lloj njerëzimi ishte mbledhur në Sheshin e Qytetit të Vjetër. Dyshja e famshme, ora astronomike dhe tregu gjigant i Krishtlindjes, ishte thjesht e papërballueshme. Turma e dendur na bëri të ndiheshim të mbytur, ndaj u larguam drejt stendave pak më të qeta pranë Urës së Karlit.

Shpejt mësuam se duhej të mbërrinim herët, duke ditur sa shumë do të mbushej tregu me kalimin e orëve. Por, realisht, kush dëshiron të hajë darkë në orën 17:00 kur është me pushime në Europë? Jo ne. Ndaheshim në dy grupe – secili merrte pjata të ndryshme nga stendat e zëna. Kur ribashkoheshim, shpesh na duhej të hamë duke balancuar pjatat dhe gotat mbi kosha plehrash, ose duke qëndruar në cepa për të shmangur turmat. Të lodhur nga përplasjet me njerëzit, filluam të dëshironim tregje ku nuk ishin të gjithë të tjerët.

QYTETI I KRISHTLINDJES MË PAK I VLERËSUAR DHE MË I VEÇANTË NË EUROPË

Na tërhoqi e panjohura (dhe tundimi i një byreku me mish të aromatizuar me Riesling) kur vendosëm të shtonim Luksemburgun në itinerarin tonë, vetëm pak muaj para nisjes. Rezultoi se ishte një zgjedhje e zgjuar. Në një kohë kur mbiturizmi po dëmton shumë pjesë të Europës, ky gur i çmuar i fshehur mes Francës, Belgjikës dhe Gjermanisë na u duk si një sekret i dukshëm, por i pazbuluar. Sapo dolëm nga stacioni qendror i trenit, ndjemë menjëherë një ritëm më të ngadaltë dhe mungesën e turmave. Dhoma jonë në City Hotel, vetëm disa metra larg stacionit, na u duk si pallat krahasuar me akomodimet që kishim lënë pas.

Kryeqyteti i vogël, i listuar nga UNESCO, na u shfaq ndërsa e eksploruam në këmbë. Ashensori panoramik falas, 71 metra i lartë, ishte mënyra perfekte për të lëvizur mes dy niveleve të qytetit  dhe mbetëm pa fjalë kur pamë luginat e thella, shkëmbinjtë e pjerrët dhe lumenjtë që rridhnin me valë të lehta. Me rënien e natës, u nisëm për të zbuluar festivalin Winterlights, një mrekulli dimërore që përfshinte gjithë qytetin dhe ishte pikërisht ajo që kishim shpresuar të gjenim në Europë për Krishtlindje.

Rrugët ishin zbukuruar me drita. Pemët, të mbuluara me drita zanash, na udhëhiqnin nga hoteli ynë në Avenue de la Liberté përgjatë rrugës kryesore. Kalonim nga një instalacion skulpturor i ndriçuar te tjetri, derisa mbërritëm te tregu më i afërt. Aty gjetëm stenda prej druri të dekoruara me dashuri: burrat e dëborës të gdhendur nga drurë vendas, të veshur me kapuçë dhe shallë të thurur me dorë, qëndronin mbi banakë, ndërsa kuti dhuratash gjigante lëkundeshin nga strehët. Shitësit na buzëqeshnin dhe na ftonin të afroheshim, të gatshëm të ndanin produktet e tyre dhe të bisedonin për udhëtimin tonë. Bëmë foto në sajën e Babagjyshit, tundnim kokën në ritmin e një Rudolphi mekanik me hundë të kuqe dhe ngrinim kokën për të parë dritat e pafundme që shtriheshin mbi ne.

Lëviznim shpejt mes pesë tregjeve të Winterlights falë rrjetit falas të tramvajeve. Radha ishte e shkurtër ose nuk ekzistonte fare, dhe mblidhnim me lehtësi ushqime për të shijuar. Kishte plot vende ku mund të uleshim me specialitete vendase, dhe ndonëse ishim ende të kujdesshëm për sendet tona, nuk ndjenim atë ndjesinë e vigjilencës që kishim përjetuar gjetkë. Por gëzimi i vërtetë? Të përjetonim gjithë këtë magji pa pasur nevojë të shtynim me bërryla për të kaluar. Admiruam pemën gjigante të Krishtlindjes në qendër të qytetit, ndërsa shijonim pjata me kniddelen, qofte me proshutë dhe krem, më të shijshme se çdo makarona me djathë që kishim provuar. Pastaj u zhytëm në gromperekichelcher, petulla patatesh tradicionale të Krishtlindjese, të shërbyera me salcë molle. Crémant de Luxembourg, vera e gazuar vendase, ishte shoqëruesi perfekt për muzikën ritmike dhe britmat e lumtura të fëmijëve që lëkundeshin në karusel.

Pjekëm marshmallow gjigante mbi zjarre të hapura dhe biseduam me shitësit e stendave. Teksa endeshim nëpër tregje, bëmë foto me kënaqësi, duke kuptuar se nuk kishim asnjë të panjohur në sfond. Ishte e lehtë. Dhe për herë të parë gjatë gjithë udhëtimit, ishim vërtet të qetë./Koha.mk/Portali Alarm/