UT hap ekspozitën “Tetova në kujtesën e kohës”, një udhëtim vizual në historinë arsimore shqiptare
Në ambientet e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës u hap ekspozita fotografike “Tetova në kujtesën e kohës”, një ngjarje kulturore e cila sjell para publikut një thesar të rrallë dokumentar mbi historinë, arsimin dhe jetën shoqërore të Tetovës ndër dekada. Ekspozita përfshin 80 fotografi të hershme, të cilat paraqesin objekte arsimore, shkolla shqipe, personalitete të njohura të arsimit dhe kulturës, si dhe momente të çmuara nga zhvillimet historike që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në formimin kombëtar.
Ekspozita është realizuar falë koleksionit personal të mësuesit dhe intelektualit tetovar, Ferhan Jakupi – Mertol, i cili në vitin 1957, në moshën 16-vjeçare, bashkë me familjen u detyrua të shpërngulet drejt Turqisë, si shumë shqiptarë të asaj kohe. Pavarësisht largimit fizik, ai e ruajti gjithmonë lidhjen shpirtërore me vendlindjen, duke arkivuar me përkushtim qindra fotografi, dokumente e dëshmi që sot përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kujtesës kulturore të Tetovës.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se kjo ekspozitë është një akt nderimi dhe mirënjohjeje për brezat e arsimtarëve që në kohët më të vështira kultivuan dhe ruajtën gjuhën, alfabenin dhe identitetin shqiptar. “Jemi në festat e nëntorit, muaj që lidhet fort me rrënjët tona kombëtare. Sot hapim një ekspozitë që u kushtohet atyre që sakrifikuan më së shumti për të mirën e përgjithshme, për arsimin shqip, për zhvillimin e brezave. Falë përkushtimit të tyre, ne sot zhvillojmë edhe arsimin e lartë në gjuhën shqipe këtu, në Universitetin e Tetovës, tempulli ynë i dijes”, u shpreh Zejneli. Ai theksoi se ekspozita nuk është vetëm një paraqitje fotografike, por një rikthim i vlerave të brezave të kaluar, të cilët, edhe pse në kushte të vështira, patën vizionin dhe misionin e ruajtjes së identitetit kombëtar.
Fjalimin qendror e mbajti Prof. Dr. Zeqirja Rexhepi nga Katedra e Historisë, i cili shpjegoi se qëllimi i ekspozitës është edukimi i brezit të sotëm me zhvillimet arsimore nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Luftës së Dytë Botërore dhe dekadave pas saj. Ai përmendi se në Tetovë shkollat shqipe për herë të parë u hapën gjatë Luftës së Dytë Botërore me mësues të dërguar nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë, në kohën e Ernest Koliqit, duke e cilësuar këtë moment si themelor për arsimimin në gjuhën amtare.

“Fotografitë përbëjnë një dorëshkrim vizual të proceseve kulturore. Ato ringjallin kujtime, sjellin emrat e mësuesve të parë tetovarë dhe kolegëve të tyre nga trojet shqiptare, të cilët me misionin e tyre fisnik hodhën themelet e arsimit shqip në këtë qytet. Ky është një thesar që brezi i ri duhet ta njohë dhe ta ruajë”, tha ai. Kontributi i Ferhan Jakupit – Mertol, i cili për dekada mblodhi e ruajti fotografi të rralla, vlerësohet si një akt i thellë dashurie ndaj Tetovës dhe identitetit shqiptar. Koleksioni i tij dëshmon momente kyçe historike: fotoportrete të mësuesve të parë, klasat e para shqipe, objektet e vjetra shkollore, si dhe dokumente të rëndësishme të alfabetit dhe të arsimit kombëtar.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 28 nëntor 2025 dhe ofron mundësinë që studentë, intelektualë dhe qytetarë të Tetovës – sidomos brezi i ri – të njohin rrënjët e procesit arsimor në gjuhën shqipe, proces i cili më pas u kurorëzua me themelimin e Universitetit të Tetovës, si vatër arsimore e të gjithë shqiptarëve./Koha.mk/Portali Alarm/
Albanian 

























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































