# Tags
#Kosovë #Lajme

Anulimi i konkursit për Rreshter në qershor të vitit të kaluar,e moshapja e konkursit për asnjë gradë- Policia ende po e rishikon udhëzimin

Bujë të madhe pati bërë vendimi për anulimin e konkursit për gradim në gradën Rreshter në Policinë e Kosovës të shpallur më 12 shkurt 2024.

Ky vendim kishte ardhur më 9 korrik 2024, pasi Inspektorati Policor i Kosovës, kishte gjetur dobësi në procesin e gradimit për rreshter.

Policia e Kosovës në njoftimin e bërë për media deklaronte se bazuar në udhëzimin administrativ për procedurën e gradimit për zyrtarë policorë, procedurën e standardeve të operimit, analizën e nevojave për personel të graduar sipas strukturës organizative dhe listës së personelit të autorizuar, sipas së cilës janë identifikuar mbi 350 pozita të lira për gradën rreshter, pas një periudhe mbi 11 vjet, me datën 12.02.2024 kishte shpallur procesin e gradimit për gradën rreshter, personel kyç për mbikëqyrje të vijës së parë dhe shërbimit sa më efektiv ndaj qytetarëve, njofton Lajmi.net

Lidhur me këtë konkurs, Policia e Kosovës ishte angazhuar në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e tërë procesit, duke angazhuar personel të mjaftueshëm si dhe duke caktuar komisionet mbikëqyrëse të të gjitha fazave të procesit të gradimit për gradën rreshter.

“Edhe pse i tërë procesi, përfshirë testimin me shkrim, ishte mirë i përgatitur dhe i organizuar, megjithatë pas shprehjes së disa pakënaqësive nga një numër i kandidatëve në këtë proces, Policia e Kosovës duke u bazuar në parimet e transparencës, etikës, vlerave themelore, integritetit profesional dhe besueshmërisë, ka angazhuar stafin policor në analizimin e procesit, gjithashtu është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i cili ka bërë një inspektim të jashtëzakonshëm të këtij procesi”, thuhej në njoftim.

Tutje, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se “bazuar në të gjeturat e stafit policor të angazhuar për analizim të procesit si dhe raportit të inspektimit të IPK-së, është vlerësuar se procesi ka qenë në përgjithësi i rregullt dhe mirë i organizuar, përjashtimisht disa procedurave dhe çështjeve teknike e administrative, për të cilat IPK-ja ka dhënë rekomandimet e saja”.

“Andaj, me qëllim të eliminimit të të gjitha paqartësive dhe ruajtjes së kredibilitetit të procesit të cilat mund të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës, si dhe bazuar në rekomandimet e IPK-së, Policia e Kosovës merr vendim për anulimin e konkursit për gradim në gradën rreshter të shpallur me 12.02.2024”, thuhej në komunikatë.

Por në fakt problemi qëndronte diku tjetër.

Pyetjet e testit për Rreshter ishin shpërndarë paraprakisht, e kësisoj shumë prej kandidatëve veçse e dinin se çfarë do t’u duhej të përgjigjeshin. Madje në test ishin futur edhe kandidatë që ende nuk kishin përmbushur vitet e nevojshme të angazhimit zyrtar në Policinë e Kosovës. Por shkelja më e rëndë thuhej se ishte fakti se testi madje kishte rrjedhur edhe në grupe të ndryshme të policisë.

E numri i vogël i zyrtarëve policorë të graduar si Rreshter, e bën  edhe më të vështirë funksionimin në këtë institucion. E pavarësisht nevojës së lartë për emra të rinj të graduar, situata vazhdon të jetë e njëjtë.

Ndonëse Policia e Kosovës, kishte njoftuar se do të fillojnë me të gjitha përgatitjet e nevojshme administrative dhe logjistike, që procesi i gradimiti për rreshter të vazhdohet sa më parë të jetë e mundur, ky konkurs nuk është hapur ende.

Në një përgjigje për lajmi.net, nga Policia e Kosovës kanë thënë se Udhëzimi Administrativ, harmonizimi i të cilit është kërkuar në raportin e IPK, është në proces të rishikimit dhe aprovimit.

Kësisoj gjatë gjithë kësaj kohe, Policia s’ka përgatitur ende Udhëzimin Administrativ, në mënyrën e kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës- duke e vonuar edhe më tepër gjithë procesin.

Vonesa për çështjet e gradimeve vazhdon të ketë ende, e jo vetëm në gradën Rreshter. Madje kjo u tha edhe nga vetë Policia si institucion, ku u theksua se pritet të rihap procesin e ri të gradimit.

“Bazuar në raportin e IPK-ës është kërkuar harmonizimi i Udhëzimit Administrativ për procedurën e gradimit për zyrtarë policor, andaj udhëzimi është ne proces te rishikimit dhe aprovimit, po sa te përfundon ky proces Policia do te mund te rihap procesin e ri te gradimit për eprore, duke përfshirë edhe për gradën rreshter ku kërkohet një numër i konsiderueshëm i tyre që parashihet me strukturën organizative të PK-se, pozita këto të cilat ushtrohen nga zyrtarë të lartë policorë”, kanë thënë nga Policia e Kosovës për lajmi.net.

IPK-ja në kuadër të Raportit kishte dhënë tetë rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e rishikimit të harmonizimit të bazës ligjore që rregullon procedurën e gradimit për zyrtarët policorë me periudhën e realizimit të trajnimit themelor, përfshirjen e plotë të kritereve të aplikimit në kuadër të shpalljeve të proceseve të gradimit, aplikimin e masave kufizuese të aplikimeve në sistemin e menaxhimit të burimeve njerëzore (PRIMS), respektimin e parimit të përfshirjes në panele vlerësuese edhe të anëtarëve nga radhët e komuniteteve tjera etnike si dhe përgatitjen më të mirë teknike të procesit të testimit me shkrim. /Lajmi.net/PortaliAlarm/