# Tags
#Kosovë #Lajme

Osmani kërkon heqjen urgjente të masave të BE-së: Janë të padrejta dhe dëmtojnë qytetarët

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit politike në vend dhe proceset europiane.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet lokale në vend janë zhvilluar në mënyrë të lirë, të qetë dhe demokratike, ndërsa transferimi i pushtetit është kryer paqësisht – një standard që, sipas saj, dëshmon pjekurinë politike të institucioneve.

Megjithatë, Presidentja shprehu shqetësimin e saj për vazhdimin e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato si “të pashpjegueshme, të padrejta dhe të paarsyeshme”. Ajo kërkoi mbështetjen e eurodeputetit Terras për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave, duke rikujtuar se ato po dëmtojnë qytetarët dhe po minojnë besimin në procesin e integrimit evropian, pavarësisht se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e partnerëve evropianë.

Sipas Osmanit, heqja e masave do të përbënte një sinjal të fuqishëm për qytetarët dhe një mesazh inkurajues për vazhdimin e reformave. Presidentja insistoi gjithashtu se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE duhet të procedohet sa më shpejt dhe që procesi i anëtarësimit të bazohet në meritokraci.

Ajo prezantoi një sërë të dhënash të institucioneve ndërkombëtare që e pozicionojnë Kosovën ndër vendet me performancë më të lartë në fusha kyçe. Në takim, Osmani dhe Terras ritheksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Parlamentit Evropian në rrugën drejt integrimit evropian. /Lajmi.net/Portali Alarm/