Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.
Në njoftim thuhet se ky vendim është marrë me qëllim për mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg.
“Vendimi është bazuar në monitorimin e rregullt të çmimeve në tregun e produkteve të naftës, evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës, si dhe raportet e përditshme nga Inspektorati i Tregut, lidhur me çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve të naftës, me ç’rast është evidentuar një rritje e çmimeve e cila nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
MINT shton tutje se “kjo përbën bazë për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse sipas Ligjit Nr.08/L-018 Për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtrishme dhe Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr.03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse”.
Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër.
Ky vendim hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. /Shkruan Telegrafi/.