Prokuroria Themelore në Gjakovë ka konfirmuar të premten se janë arrestuar tetë persona lidhur me vrasjen e rëndë, e cila ndodhi një ditë më parë në fshatin Balincë të Malishevës.
Ndaj të pandehurve me inicialet XH.G, F.G, K.G, A.G, L.K, D.K, Q.K dhe A.M, ky institucion ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin Hekuran Batusha, bashkëpunëtor profesional në Gjykatën e Gjakovës, i cili ka thënë se të pandehurit me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri XH.G, ka kryer veprën penale ‘Vrasja e Rëndë’ nga neni 173 par.1 në par.1.5 të KPRK-së, ndërsa për të pandehurit F.G, K.G, A.G, L.K, D.K, Q.K dhe A.M, ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale ‘Pjesëmarrja në rrahje’ nga neni 187 par.1 të KPRK-së”, ka deklaruar Batusha.
Ndryshe, një 29-vjeçar është vrarë të enjten në fshatin Balincë të Malishevës, pas një mosmarrëveshjeje që kishte ndodhur mes viktimës dhe dorasit.
Ngjarja me epilog tragjik për 29-vjeçarin nga Bubaveci thuhet të ketë ndodhur në tregun e druve.
Ndonëse organet e hetuesisë nuk kanë treguar motivet dhe rrethanat e vrasjes, pretendohet që zënka të ketë ndodhur shkaku i një borxhi, me ç’rast 40 vjeçari me inicialet A.G. nga fshati Balincë, ka qëlluar për vdekje viktimën me inicialet Sh.K.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, menjëherë pas ndodhjes së vrasjes, ka thënë për Telegrafin se “Sot (e enjte) rreth orës 13:30 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore është dërguar në QKMF Malishevë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Personeli mjekësor atje ka konstatuar vdekjen e tij”.
“Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit si dhe është njoftuar prokurori i shtetit në konsultim me të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, ka thënë Elezaj.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Elezaj gjithashtu ka njoftuar se lidhur me rastin është konfiskuar një armë. /Shkruan Telegrafi/