Takimet e Osmanit në Tiranë dhe deklaratat – nga ajo për koordinimin e Kosovës me ndërkombëtarët deri te reagimi për çështjen e vizave

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani të hënën qëndroi për vizitë zyrtare në Shqipëri, gjersa gjatë kësaj vizite takoi homologun Bajram Begaj, kryeparlamentaren Lindita Nikolla, kryeministrin Edi Rama, etj. 

Osmani e cila vazhdon edhe sot vizitën në Shqipëri, ka folur për raportet Prishtinë-Tiranë, për raportet e Kosovës me ndërkombëtarët, pastaj edhe për çështjen e vizave.

E para e shtetit në takimin me homologun Bajram Begaj tha se si asnjëherë më parë Kosova e pavarur po përballet me sfidën më të madhe, me kërcënime për sigurinë e kombit.

Në fjalën e saj, gjatë konferencës së përbashkët Osmani tha se Serbia është një fqinj agresiv që vazhdon me logjikën për të zhdukur nga faqja e dheut Kosovën.

“Kosova përballet me sfidën më të madh të sigurisë, e them se kur kemi përballje me sfida të tilla, agresion të përditshëm nga ana e një fqinji agresiv që vazhdon me logjikën e zhdukjes sonë nga faqja e dheut është detyrim që interesat kombëtare të jenë para së gjithash”, tha Osmani.

E parë në këtë prizëm, ajo tha se nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria dhe Kosova kanë një qëllim të përbashkët, ajo që mund t’i ndryshojë është strategjia.

Pas takimit me kreun e shtetit, Bajram Begaj, presidentja e Kosovës ka zhvilluar një takim me kryeministrin e vendit, Edi Rama. Ky i fundit ka publikuar fotografi nga takimi me presidenten, Vjosa Osmani.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë: “Me presidenten Vjosa Osmani, për të tashmen dhe të ardhmen e marrëdhënies së patjetërsueshme Kosovë-Shqipëri”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur edhe për raportet me ndërkombëtaret dhe masat e BE-së.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Në një intervistë për Top Channel, teksa ka folur për politikën e jashtme dhe marrëdhënien me ndërkombëtarët, Osmani ka vënë theksin tek bisedat e hapura dhe të sinqerta me ta por në asnjë moment kërcënuese.

“Kam mësuar sepse asnjëri nuk jemi perfekt, kam mësuar më shumë nga partneri ynë strategjik SHBA, që sinqeriteti me partnerët, e të jemi të hapur me ta në mënyrë që të dinë se çfarë të presin me ne, është vlerësuar më së shumti”.

Osmani ka thënë se ndërkombëtarët nuk duhet ta ndëshkojnë popullin e Kosovës me masa të ndryshme nëse kanë vërejtje për punën e liderëve institucional të Kosovës.

“Ky nuk është kërcënim është informim në raport me partnerët tanë, nëse nuk janë të kënaqur me veprimet e qeverisë së Republikës së Kosovës, apo të presidentes, apo institucioneve në përgjithësi, ndëshkimi nuk duhet të jetë në lidhje me popullin e Kosovës”.

Ndër të tjera, Presidentja tha se është një padrejtësi historike mungesa e liberalizimit të vizave ndaj popullit të Kosovës, pasi sipas saj është i vetmi popull në kontinent, që është 100% në linjë të plotë me çdo vendim të politikës së jashtme.

“Dhe kjo çështja e liberalizimit të vizave është një padrejtësi historike ndaj popullit të Kosovës, ta konsiderosh si një popull që e meriton geton, nënkupton ta vlerësosh si një popull të shkallës së dytë apo të tretë dhe të mos e vlerësosh faktin që është populli më pro-evropian në kontinentin tonë, është 100% në linjë të plotë me çdo vendim të politikës së jashtme”.

“Unë jam e bindur që Macron i vlerëson të gjitha këto prandaj qëllimi im është që të gjithë aleatët tanë të kuptojnë se çfarë e dëmton procesin e dialogut. Unë mendoj që me presidentin Macron e me gjithë të tjerët të jemi të sinqertë e të flasim hapur por në asnjë moment nuk kam përdorur tone kërcënuese. Pa aleatët asnjë sukses i yni nuk do të ishte i yni”, tha Osmani.

Presidentja Vjosa Osmani ka komentuar edhe krizën në veri të Kosovës dhe mënyrën se si e menaxhoi atë kryeministri Kurti.

Ajo është shprehur në Top Channel se koordinimi me aleatët nuk të bën më pak sovran, por përkundrazi do të kishte më shumë rezultate pozitive.

“Mendoj që koordinimi me aleatët nuk të bën më pak sovran. Koordinimi me ta nënkupton më shumë sukses më shumë rezultate dhe kjo është dëshmuar në këto 22 vite. Ndonjëherë ka raste ku jo domosdoshmërish strategjia apo taktikat janë identike me atë që mund t’i mendojnë aleatët por në asnjë moment nuk kemi pasur dallime në atë që është qëllimi përfundimtarë i yni”.

“Përderisa qëllimi përfundimtar është njësoj, strategjia duhet të koordinohet në mënyrë që të arrijmë atë qëllim më shpejt e më mirë. Jo gjithnjë pajtohemi me taktikat bashkë me miqtë tanë, por gradualisht vijmë tek pika e përbashkët”, ka shtuar Osmani.

Osmani tha se ka pasur raste qe politikanët e Kosovës nuk janë koordinuar me aleatët dhe në këto raste nuk i ka dalë mirë rezultati.

“Ka pasur raste gjatë këtyre 20 viteve që politikanët tanë nuk e kanë pasur durimin që të tentojnë t’i bindin aleatët tanë që veprimin ta marrin të koordinuar dhe të përbashkët. Nuk na ka dalë mirë sado që Kosova ka pasur të drejtë, sado ka zbatuar kushtetutën e saj”, tha Osmani.

Presidentja Vjosa Osmani po ashtu ka komentuar puthjen live me bashkëshortin gjatë një interviste televizive.

Gjatë intervistës në Top Channel, Osmani tha se familja e fortë është një ndër vlerat më të rëndësishme të popullit tonë.

“Vetëbesimi si grua për mua ka filluar në familje si fëmijë. Ne jemi 4 motra dhe një vëlla dhe jemi rritur me prindër që na kanë shtyrë drejt një rruge ku … ndoshta edhe për shkak se rrethanat kanë qenë të jashtëzakonshme, vetëbesimi ka qenë element i pandashëm i rritjes tonë”, tha Osmani.

“Në veçanti babi na ka dhënë përkrahje që si vajza në kohë të vështira dhe një sistem patriakal të fuqizohemi, të ndihemi të pavarura, që të mos ndahemi para asnjë sfide. Unë jam shumë me fat që e kam përkrahjen e pakursyer të bashkëshortit dhe në asnjë moment nuk mendoj që shprehja e dashurisë ndaj personit që e do, bashkëshortit në këtë rast, duhet të të bëjë të ndihesh me më pak vetëbesim. Përkundrazi, kur ke në familje bashkëshort, motra, vëllezër dhe tani edhe dy vajzat e mija që çdo ditë më inspirojnë dhe japin energji pozitive, kjo vetëm sa e rrit vetëbesimin”, u shpreh presidentja e Kosovës. /Shkruan Telegrafi/

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë