Koalicioni i Tahirit me VV-në në Vushtrri, Krasniqi: Ka rënduar anëtarësinë e LDK-së
Ish-deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar ndaj të Xhafer Tahirit të LDK-së, i cili dje ka nënshkruar një koalicion individual me VV-në.
Ajo ka bërë me dije se situata e krijuar ka rënduar anëtarësinë e LDK-së.
Në profilin e saj në “Facebook”, Krasniqi ka ftuar anëtarësinë e LDK-së që të mbetet e bashkuar.
“Pas ngjarjeve të fundit në degën e LDK-së në Vushtrri, shpreh shqetësim të thellë për gjendjen e krijuar dhe atmosferën që ka rënduar anëtarësinë tonë. Këto ditë kanë qenë të ndjeshme për strukturat dhe aktivistët që me përkushtim e kanë mbajtur gjallë LDK-në në këtë qytet. LDK ka qenë dhe mbetet shtëpi e përbashkët, forcë unifikuese dhe shembull i maturisë politike. Sot më shumë se kurrë, ftoj të gjithë anëtarët dhe mbështetësit tanë në Vushtrri të qëndrojnë të qetë, të bashkuar dhe besnikë ndaj vlerave që na kanë udhëhequr për mbi tri dekada”, ka shkruar ajo, duke thënë se LDK-ja do të rikthehet, përcjell Nacionale.
“Besoj fort se Lidhja Demokratike e Kosovës do të rikthejë qetësinë, bashkëpunimin dhe drejtimin e duhur në Vushtrri. Me përfshirje, dialog dhe sinqeritet do ta rindërtojmë besimin dhe unitetin që gjithmonë e ka dalluar këtë degë. LDK do të rikthehet fuqishëm në Vushtrri, me vlerat, traditën dhe njerëzit e saj të mirë, si forcë që bashkon dhe ndërton, jo që ndan”, ka vlerësuar ajo./Nacionale/PortaliAlarm/
Albanian 


























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































