Aktiviteti fizik zvogëlon vdekshmërinë kardiovaskulare te të moshuarit

Personat që praktikojnë rregullisht aktivitet fizik me intensitet të moderuar për të paktën dy orë e gjysmë në javë gëzojnë një ulje të vdekshmërisë kardiovaskulare me 20-30 për qind krahasuar me ata që bën një jetë sedentare.

Ky është një nga mesazhet që pritet të përcillet nga kongresi i kardiogeriatrisë që po zhvillohet në Romë.

“Lëvizja jo vetëm që parandalon shumicën e sëmundjeve kardiovaskulare dhe kronike-degjenerative, por lejon ruajtjen më të mirë të efikasitetit fizik, duke garantuar kështu një përshtatje afatgjatë dhe jetë plotësisht të shëndetshme”, theksoi Lorenzo Palleschi, drejtor i Kompleksit Operativ të Njësisë së Geriatrisë, transmeton ANSA.

Palleschi kujtoi gjithashtu se si, për të moshuarit, mbajtja në lëvizje është thelbësore edhe në rast të pranimeve në spitale ose objekte të kujdesit shëndetësor, pasi lëvizshmëria e dobët çon në një rrezik në rritje të humbjes së autonomisë personale dhe komplikimeve.

“Megjithatë, pandemia COVID-19 paraqet sfida të reja dhe serioze që kërcënojnë të minojnë përpjekjet dhe përparimin e fundit drejt një kulture lëvizshmërie”.

“Masat e rrepta të distancimit social brenda objekteve të kujdesit shëndetësor, mungesa e personelit për shkak të rishpërndarjes në zona me nevoja të mëdha si dhoma e urgjencës apo kujdesi intensiv, mungesa e pajisjeve mbrojtëse dhe hezitimi i pacientëve ndaj lëvizshmërisë po kërcënojnë nxitjen e lëvizshmërisë brenda kujdesit shëndetësor si dhe mirëqenien e pacientëve të moshuar”, ka përfunduar ai. /KP/

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë