Letër e hapur presidentit serb: Esëlloni votuesit tuaj për Kosovënoo

Jam i bindur se bashkëbiseduesit Tuaj nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja e dinë se çfarë ndodhi në krahinën jugore serbe pas heqjes së dhunshme të autonomisë dhe pse shqiptarët e Kosovës nuk pranojnë asnjë formë të riintegrimit nën pushtetin e Serbisë… Propozimi iniciues për marrëveshjen për të cilën po negocioni buron nga Gjermania dhe Franca, shtetarët e të cilave dhanë shembullin e pajtimit të ndërsjellë dhe të kundërshtimit të nacionalizmit të popullit të tyre

Zoti President,

Po i përgjigjem ftesës Suaj për të marrë pjesë në shqyrtimin publik të situatës pas kërkesës, të cilën, me qëllim të arritjes së marrëveshjes për Kosovën, ua shtruan emisarët e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së. Besoj se mendimet e qytetarëve janë më të dobishme se duartrokitjet nënshtruese.

Që shumica e njerëzve në Serbi të mund ta kuptojnë situatën në të cilën janë sjellë, është e rëndësishme që ata të jenë të informuar siç duhet jo vetëm për atë që shkruhet në marrëveshjen e propozuar, por edhe për rrethanat e rëndësishme që i kanë paraprirë këtij propozimi, si dhe për atë se si e shohin propozuesit Serbinë dhe pse ata na shohin kështu. Nëse nuk i kuptojmë, ose nëse vetëm imagjinojmë se na urrejnë, kushtet për negociata do të jenë të pafavorshme.

Jam i bindur se bashkëbiseduesit Tuaj nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja e dinë se çfarë ndodhi në krahinën jugore serbe pas heqjes së dhunshme të autonomisë dhe pse shqiptarët e Kosovës nuk pranojnë asnjë formë të riintegrimit nën pushtetin e Serbisë.

Besoj se e kanë të qartë se as ju nuk keni pa luftë një propozim të realizueshëm për kthimin e Kosovës dhe Metohisë në kornizën shtetërore të Serbisë. Jam i sigurt se paralajmërimet e vonimit të zgjidhjes, gjithnjë përderisa Rusia dhe Kina nuk sundojnë botën dhe t’i mundësojnë Serbisë të kthehet me forcë në krahinën e saj jugore, nuk duken si një qasje që duhet marrë parasysh.

Nuk ka dyshim se Ju i dini mirë konstatimet e paraqitura më herët, dhe e keni të qartë pse një numër i madh i qytetarëve të Serbisë nuk i di ato ose nuk dëshiron t’i dijë.

Për njohjen Tuaj të së vërtetës, në njërën anë, dhe lajthitjet e qytetarëve të Serbisë në anën tjetër, janë të vetëdijshëm edhe negociatorët e huaj, të cilët përfundojnë se nuk keni argumente për t’i kundërshtuar, ndërsa vetëm ju keni mundësi për të ndikuar në esëllimin gradual të votuesve tuaj.

Nuk e keni lehtë, sepse keni merita për dehjen politike të qytetarëve të Serbisë dhe për mbështetjen e tyre prej dekadash të politikës së gabuar që na solli në situatën e sotme.

Telashe shtesë po shkakton lufta në Ukrainë, në të cilën operacioni special i presidentit rus shumë patriotëve serbë ua përkujton operacionet speciale nga luftërat që Serbia, runa Zot, nuk i zhvilloi as në Kroaci, as në Bosnjë-Hercegovinë, as në Kosovë.

Duke pasur parasysh numrin e votave që morët në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar dhe pushtetin e padiskutueshëm mbi bashkëpunëtorët tuaj dhe partinë kryesore, jam i lirë të paraqes disa propozime, të cilat, nëse i miratoni, mund të ndihmojnë për kapërcimin e keqkuptimit të përhapur, dhe me këtë edhe të halleve në të cilat ndodhet Serbia jonë.

Propozoj:

– të kërkoni që të shtypen në tirazh të madh libri i Dimitrije Tucoviqit “Serbia dhe Shqipëria” dhe libri i Radet Radovanoviqit “Qeshja nën trekëndëshin e varjes”;

– të urdhëroni që gazetat nën kontrollin tuaj të fillojnë të publikojnë fejtone me përmbajtje të vërtetë për administratën serbe në krahinën jugore serbe në periudhën 1989-1999, dhe që nëpër televizionet me frekuencë kombëtare të fillojë transmetimi i emisioneve me përmbajtje të ngjashme;

– të gjeni mënyrën që qytetarët më në moshë të rikujtohen, ndërsa më të rinjtë të informohen, për ngjarjet që i paraprinë ndërhyrjes së NATO-s: rezistencën paqësore të shqiptarëve të Kosovës ndaj aparteidit të imponuar, ndryshimin gradual të qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj UÇK-së (fillimisht e shikuar si terroriste dhe më pas si formacion nacionalçlirimtar), kërkesën që vëzhguesit ndërkombëtarë të përfshihen dhe të bashkëpunojnë me autoritetet serbe në Kosovë e Metohi, kërcënimin për ndërhyrjen ushtarake në tetorin e vitit 1998, që atëbotë u shmang me pranimin e misionit ndërkombëtar të verifikimit, kërkesën që në Kosovë e Metohi të dërgohen forca ushtarake ndërkombëtare, të cilat do të bashkëpunonin me ushtrinë dhe policinë serbe, referendumin e shkurtit të vitit 1999 në të cilin, pas propagandës së fortë të kreut shtetëror, shumica dërrmuese e qytetarëve serbë u deklarua kundër pranisë së ushtarëve të huaj në Kosovë dhe Metohi, negociatat në Rambuje dhe Paris, në të cilat pala kosovare pranoi propozimet e bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa pala serbe i refuzoi ato me thirrjen sfiduese të Slobodan Milosheviqit drejtuar NATO-s që të na bombardojë nëse guxon, pastaj Marrëveshja e Kumanovës, me të cilën u pranuan në mënyrë plotësuese të gjitha kërkesat nga Rambujeja dhe Parisi;

– që në paraqitjet tuaja publike të mos harroni se Republika e Kosovës nuk është fëmijë i mentorëve perëndimorë, por se lindi nga rezistenca paqësore, e më pas nga lufta nacionalçlirimtare dhe nga viktimat e mëdha të shqiptarëve të Kosovës, rezultatet e të cilëve komuniteti ndërkombëtar u detyrua t’i njihte;

– t’i lusni prokurorët dhe gjykatat serbe që të veprojnë me përgjegjësi dhe efikasitet ndaj të dyshuarve për krime kundër shqiptarëve të Kosovës dhe të siguroni që rrjedha dhe rezultatet e veprimeve të tilla të jenë në dispozicion të publikut;

– të mundësoni që të plotësohet paralajmërimi Juaj se Serbia do të përballet me të vërtetën e rëndë për vrasjen e të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë, të ndikoni që organet serbe të përcaktojnë se kush është përgjegjës për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, dhe të siguroni që përfundimisht të fillojë procedura e përcaktimit se cili është vrasësi i Oliver Ivanoviqit dhe cilët janë urdhërdhënësit e kësaj vrasjeje;

– të nisni iniciativën që në Batajnicë të shënohet në mënyrë dinjitoze vendi ku u transportuan dhe u varrosën qindra shqiptarë dhe shqiptare të vrara, që sa më parë të përkujtoni publikun serb që në atë varrezë janë gjetur kufoma fëmijësh me biberon dhe mjete për shkollimin fillor, që këtë ta përmendni kur flisni për vogëlushen serbe që u vra nga bomba e NATO-s jo shumë larg asaj varreze, dhe të vendosni kurorë lulesh në pllakën përkujtimore të viktimave shqiptare në Batajnicë.

Propozimi iniciues për marrëveshjen për të cilën po negocioni buron nga Gjermania dhe Franca, shtetarët e të cilave dhanë shembullin e pajtimit të ndërsjellë dhe të kundërshtimit të nacionalizmit të popullit të tyre.

Presidenti francez, De Gaulle, i cili ishte në shënjestër të nacionalistëve francezë dhe që për shkak të tyre u detyrua të strehohej në një bazë ushtarake franceze në Gjermani, mbeti i njohur në histori, sepse, duke pranuar për shumë francezë të vërtetën e dhimbshme se Algjeria nuk është Francë tejdetare, kontribuoi që në luftë Algjeria e formuar si shtet i rrejshëm të marrë njohjen ndërkombëtare.

Kancelari gjerman Willy Brandt mbeti i njohur në histori me përkuljen para monumentit të viktimave të fashistëve gjermanë në Varshavë.

Përpiquni, zoti President, t’i ndiqni këta shembuj dhe që, pas të gjitha mashtrimeve, telasheve dhe vuajtjeve, t’ia zbardhni fytyrën popullit serb dhe t’ia ktheni të paktën një pjesë të reputacionit që gëzonte deri para 30 vjetësh në botë.

*Autori është avokat nga Beogradi. Shkrimi është marrë nga danas.rs. Përktheu: KDP

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë