# Tags
#Bota #Ekonomi #Rozë

“Nëse ke kaq shumë para, pse s’bën më shumë për njerëzit?” — Billie Eilish ‘shkund’ miliarderët

Në një moment që po komentohet gjerësisht në rrjetet sociale, këngëtarja e famshme Billie Eilish ka dhënë një mesazh të fortë kundër miliarderëve gjatë ceremonisë së “WSJ Magazine Innovator Awards”, që u mbajt në Muzeun e Artit Modern (MoMA) në Nju Jork.

Fituesja e shumë çmimeve Grammy, e cila u nderua me çmimin për Inovatore Muzikore, përdori fjalimin e saj për të kritikuar mungesën e ndjeshmërisë dhe të përgjegjësisë sociale mes super të pasurve të botës.

Jemi në një kohë kur bota është shumë e errët dhe njerëzit kanë nevojë për më shumë empati dhe ndihmë se kurrë më parë,” — tha Eilish para një salle plot me figura të njohura të industrisë së artit dhe biznesit, transmeton Express.

“Nëse ke para, do të ishte mirë t’i përdorje për të bërë diçka të mirë – ndoshta t’i jepje disa njerëzve që kanë nevojë për to.”

Fjalimi që “ngrini” sallën e miliarderëve

Eilish foli me tone të drejtpërdrejta dhe të sinqerta, duke iu drejtuar personalisht të pranishmëve, mes të cilëve ndodheshin Mark Zuckerberg, Hailey Bieber, Spike Lee, Ben Stiller dhe Chris Rock.

“Ju dua të gjithëve, por disa këtu kanë shumë më shumë para se unë. Nëse je miliarder, pse je miliarder? Pa urrejtje, por po — jepni paratë tuaja,” tha ajo, duke shkaktuar një reagim të përzier në sallë — disa duartrokitje të përmbajtura dhe disa buzëqeshje të sikletshme.

Sipas raportimeve nga mediat amerikane, themëluesi i “Facebook”, Mark Zuckerberg, i cili ndodhej në publik, nuk duartrokiti pas deklaratës së Eilish, duke u bërë menjëherë objekt i vëmendjes së kamerave.

Ironia e mbrëmjes

Zuckerberg ishte në ceremoni së bashku me bashkëshorten e tij, Priscilla Chan, e cila u nderua me çmimin “Inovatore e Filantropisë në Shkencë 2025” për punën e saj në kuadër të Chan Zuckerberg Initiative — një fondacion që synon zhvillimin e mjeteve për trajtimin e sëmundjeve.

Megjithatë, fjalët e Billie Eilish duket se u lexuan si një thirrje e drejtpërdrejtë ndaj super të pasurve që ishin të pranishëm në sallë.

Sipas revistës Forbes, Zuckerberg renditet aktualisht si njeriu i tretë më i pasur në botë, me një pasuri neto që vlerësohet në rreth 257 miliardë dollarë.

Fjalimi i Eilish po shpërndahet gjerësisht online, duke u përshkruar nga fansat si një “moment guximi dhe sinqeriteti të rrallë” në një ambient të dominuar nga pasuria dhe pushteti. /GazetaExpress/PortaliAlarm/