Dyshimet për “tren bullgar” në Mitrovicë, Anëtari i PDK-së në KQZ: Kjo s’mund të trajtohet më vetëm si çështje penale
Ilir Gashi, anëtar i PDK-së në KQZ, referuar dyshimeve për vjedhje votash në Mitrovicë, ka thënë se çështja është përtej vepër penale, dhe organet e drejtësisë duhet t’i vërtetojnë të gjitha pretendimet.
Kjo pasi u gjetën mbi njëzet fletëvotime me numra të shpërputhshëm serikë, përkatësisht fletvotime me numra serikë të klasëve dhe shkollave tjera: çka ka ngritur dyshime serioze për “tren bullgar” të përmasave të mëdha.
Postimi i Gashit:
Dyshimet për “trenin bullgar” në Mitrovicë janë alarm serioz për demokracinë dhe integritetin e procesit zgjedhor. Këto çështje nuk mund të trajtohen vetëm si raste penale, sepse problemi është shumë më i thellë, është politik, institucional dhe lidhet drejtpërdrejt me besimin e qytetarëve në votë. Cënimi i vullnetit të qytetarëve nuk mund të përfundojë vetëm në rrafshin e një vepre penale.
Nëse organet e drejtësisë vërtetojnë se është manipuluar vullneti i qytetarëve të Mitrovicës, unë, si anëtar i KQZ-së, nuk do të votoj dhe as nuk do të certifikoj rezultatin zgjedhor në këtë komunë. Askush nuk ka të drejtë të përvetësojë zërin e qytetarëve për interesa të ngushta politike.
Kodimi i fletvotimit për çdo vendvotim ka pasur një qëllim të qartë dhe të drejtë: të ndalojë manipulimet, të prishë “shinat e trenit bullgar” dhe të mbrojë integritetin e votës.
Prandaj, kërkoj hetim të plotë, të paanshëm dhe vendim të drejtë për votuesit e Republikës së Kosovës. Demokracia nuk mund të mbijetojë mbi mashtrime dhe manipulime, ajo mbrohet vetëm me të vërtetën dhe drejtësinë./Nacionale/PortaliAlarm/
Albanian 


























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































