# Tags
#Kosovë #Lajme

Me kërkesë të njërit avokat, anulohet seanca gjyqësore ndaj Jahja Llukës dhe Gani Demajt

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Jahja Lluka, avokatit Kujtim Kerveshi, është anuluar seanca gjyqësore të martën, në rastin ku për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar bashkë me Llukën po akuzohet edhe Gani Demaj.

Në këtë rast, Jahja Lluka- në cilësinë e këshilltarit politik dhe Gani Demaj- në cilësinë e shefit të kabinetit të atëkohë kryeministrit Ramush Haradinaj, akuzohen se keqpërdorën detyrën zyrtare, me rastin e kryerjes së punëve në varrezat e dëshmorëve dhe heronjve si Adem Demaçi, Ahmet Krasniqi, Qazim Jakupi, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kërkesën për anulimin e seancës e ka bërë avokati Kërveshi me arsyetimin se është i angazhuar në një rast disiplinor pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

Ndërsa, anulimi i seancës u konfirmua nga zyra e kryetari të trupit gjykues, gjyqtarit Gëzim Ademi.

Dy të akuzuarit, në seancën fillestare më 30 qershor 2023, u deklaruan të pafajshëm.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 22 shtator 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj Jahja Llukës dhe Gani Demajt, të cilët i ngarkon për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, Jahja Lluka si person zyrtar, duke shfrytëzuar pozitën e këshilltarit politik të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka tejkaluar kompetencat me rastin e angazhimit të drejtpërdrejtë të kompanisë “NTP Art Com” me pronar Hekuran Selimaj, për kryerjen e punëve të varrezave të dëshmorëve dhe heronjve: Ahmet Krasniqi, Qazim Jakupi, Ilir Konushevci, Hazir Malaj dhe Adem Demaçi, ku kompanisë së lartcekur i mundëson përfitimin në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim shkaktimin e dëmit në buxhetin e Qeverisë.

Krejt kjo, sipas aktakuzës, duke shpërfillur procedurat e prokurimit e duke ia mohuar të drejtën e konkurrimit kompanive të tjera, duke punuar pa projekt, pa menaxher të punimeve apo komision për vlerësimin e punëve të kryera në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik- pa procedura të tenderimit, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike- për kryerjen e pagesave, Rregulloren për Shpenzimin e Parasë Publike, Rregulloren për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrave- ku janë të përcaktuara detyrat dhe përgjegjësitë e këshilltarëve politikë, përkatësisht përcaktohet se atyre nuk u lejohet të ndëryjnë në funksione që janë të përcaktuara me ligjin për shërbimin civil. Me këtë rast, buxhetit të Republikës së Kosovës i shkakton dëm në vlerën prej 92 mijë e 827 euro e 61 centë.

Për këto veprime, Lluka ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 2 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Kurse, në pikën dy të aktakuzës, Gani Demaj akuzohet se si person zyrtar- shef i kabinetit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim për t’i shkaktuar dëm Qeverisë, duke nënshkruar faturë të datës 30 korrik 2018 për punimet në varrin e Adem Demaçit, e cila faturë është ekzekutuar përmes përmbaruesit privat për heronjtë: Ahmet Krasniqi, Qazim Jakupi, Ilir Konushevci, Hazir Malaj, ku është punuar pa projekt, pa menaxher të projektit apo komision për vlerësimin e punimeve të kryera dhe pa raport për përcjelljen e punimeve.

Të gjitha këto, aktakuza thotë se u bënë në kundërshtim më  Ligjin për Prokurimin Publik- pa procedura të tenderimit, Ligjin për Menaxhimin e Financve Publike- për kryerjen e pagesave, Rregullores për Shpenzimin e Parasë Publike, Rregulloren për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit- ku janë përcaktuar detyrat dhe përgjegjësit e këshilltarëve politikë. Kështu, buxheti i shtetit u dëmtua në vlerën prej 92 mijë e 827 euro  e 61 centë.

Për këto veprime, Gani Demaj ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi  2 lidhur me nenin 81 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë./Betimiperdrejtesi/PortaliAlarm/