# Tags
#Kosovë #Lajme

Aktgjykimi për vrasje të rëndë: V.S. dënohet me 25 vite burgim, F.M. me 8 vite

Gjykata Themelore e Gjilanit, në komunikatë për media ka njoftuar se është shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve V.S., dhe F.M., për konfliktin që kishte ndodhur para një viti me motive hakmarrjeje, ku si pasojë është privuar nga jeta tani i ndjeri S.O., nga Komuna e Gjilanit.

I akuzuari V.S., është dënuar me 25 vite burgim, F.M., me 8 vite burgim.

Në komunikatë Gjykata bën të ditur rrjedhën e ngjarjes:

Me datë 07.11.2024, rreth orës 14:00 h, i akuzuari V. S. në Gjilan, në rrugën ,,Mërgimtarët e Gjilanit”,  në parkingun e objektit banesor ,,Gëzimi 3”, përball lokalit berber shop ,,Donisi”, me dashje e në shenjë hakmarrje për shkak të një konflikti fizik të ndodhur para dy viteve, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin S. O., nga fshati Vërbicë, Komuna e Gjilanit, në atë mënyrë që me të arritur me biçikleta të pandehurit V. S. dhe F. M., përballë lokalit berber shop “Donisi”, aty i pandehuri V. e vëren të ndjerin S., i cili ishte duke hyrë në veturë, me ta vërejtur përnjëherë e repetit revolen e prodhimit “Zoraki”, modeli M-917-T, e kalibrit 9×17 mm, me numër serik A3YZR16YS01-2303343, i ofrohet afër dhe me një predhë e godet të ndjerin S., në anën e pasme të shpinës (komblikut), me ç’rast i ndjeri rrëzohet në tokë, e derisa ishte i rrëzuar, ofrohet i pandehuri V., e godet dy herë me grusht dhe një herë me shqelm, e më pas të pandehurit me shpejtësi largohen në drejtim të panjohur, derisa i ndjeri S. O. ndërron jetë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ndërkaq, F.M., është dënuar me 8 vite burgim për shkak të dhënies së ndihmës në kryerjen e vepres.

“I akuzuari F. M. nga data 07.11.2024 e deri më datë 12.11.2024, në Gjilan, në vende të ndryshme me dashje ka ndihmuar të pandehurin V. S. në fshehjen – mos zbulimin e kryesit të veprës penale të vrasjes së rëndë, në atë mënyrë që edhe për kundër asaj që ishte prezentë kur i pandehuri V., shtënë një herë me revole në të ndjerin S. O., e të cilin edhe e godet me grusht dhe shqelm derisa tani i ndjeri ishte i rrëzuar në tokë, dy të pandehurit së bashku me biçikleta në shpejtësi largohen nga vendi i ngjarjes, shkojnë në shtëpinë e pa banuar i lënë biçikletat, dalin së bashku hipin në një taksi, shkojnë tek rrethi i spitalit rajonal, aty zbresin e më pas hipin prapë në një taksi tjetër dhe shkojnë në drejtim të fshatit Livoç i Ultë, me ç’rast aty rrinë të fshehur deri me datë 12.11.2024, kur dorëzohen në polici, në këtë mënyrë i pandehuri F., e ka ndihmuar të pandehurin V. në fshehjen e tij”, thuhet në njoftim.

Gjykata ka bërë të ditur se “trupi gjykues pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, të akuzuarin V. S. për veprën penale vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, i shqipton dënim unik në kohëzgjatje prej 25 (njëzetë e pesë) vitesh burgim, ndërsa të akuzuarin F. M., për veprën penale dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale, i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 (tetë) vitesh”./PortaliAlarm/

Aktgjykimi për vrasje të rëndë: V.S. dënohet me 25 vite burgim, F.M. me 8 vite

Sa është pasuria e Malumas?