Aktakuzë për krime lufte kundër komandantit të Policisë serbe të nënstacionit në Zhegër
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj D.N., i nacionalitetit serb, për kryerjen e veprës penale – krime lufte kundër popullsisë civile.
Sipas njoftimit, i pandehuri D.N. akuzohet se gjatë periudhës mars-prill të vitit 1999, në cilësinë e komandantit të nënstacionit në Zhegër të komunës së Gjilanit, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar plaçkitjet, dëbimin dhe vrasjet e 29 e civilëve shqiptarë, raporton Kallxo.com.
“Sipas aktakuzës, D.N ishte në dijeni se më 30 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, nën komandën e tij, kishin rrethuar fshatin Zhegër, ndërsa më 27 mars 1999 ishte sulmuar fshati Llashticë”- thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se i pandehuri D.N. së bashku me komandantin e stacionit të Policisë në Gjilan kishin urdhëruar tjetërsimin e vendit të ngjarjes me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit.
Po ashtu, në njoftim të Prokurorisë thuhet se D.N. edhe pse ishte njoftuar përmes një letre nga të dëmtuarit nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar, ndaluar ose për t’i paraqitur rastet për hetim, por ishte larguar nga vendi i ngjarjes./Kallxo.com/PortaliAlarm/
Albanian 

























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































